Sport

PSG-ja, interesohet për Manen

Kampioni i Ligue 1, Paris Saint-Germain ka shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit të krahut, Sadio Mane që është pjesë e Liverpoolit.

Lajmi është bërë i ditur të martën nga e përditshmja franceze “L’Equipe”. Mësohet se Mane te PSG-ja, është identifikuar si pasardhës i brazilianit Neymar, i cili do të largohet nga ekipi francez në fund të këtij edicioni, transmeton Koha Ditore.

Për kartonin e senegalezit, PSG-ja është e gatshme të paguajë dëmshpërblim mbi 100 milionë euro.

Mane 27-vjeçar, ka kontratë me Liverpoolin deri në verën e vitit 2023 kurse këtë edicion ka shënuar 13 gola dhe ka bërë shtatë asistime në 21 paraqitje në të gjitha garat.

Mane, karrierë në Evropë ka bërë edhe te Southamptoni, Red Bull Salzburgu e Metzi. Ka edhe 61 ndeshje e 16 gola për Përfaqësuesen e Senegalit.