Sport

Guardiola po përjeton periudhën më të vështirë si trajner

Mbrojtja e Manchester Cityt është duke dështuar në një mënyrë sikurse Pep Guardiola nuk e ka përjetuar kurrë më parë.

Humbja 2:1 në derbi ndaj Manchester Unitedit e ka lënë Cityn me 32 pikë, numrin më të vogël të pikëve që ka pasur Guardiola pas 16 ndeshjeve në karrierën e tij 11-vjeçare si kryetrajner në futboll elitar.

Çdo mundësi për të fituar titullin e tretë rresht të Anglisë duket se është shuar nga rivali i përbetuar i Cityt, Manchester Unitedi, raporton AP, transmeton Koha Ditore. Lojtarët e Unitedit kishin qenë shënjestër të fyerjeve raciste në ndeshjen e së shtunës dhe po ashtu ishin hedhur gjësende në drejtim të tyre.

Pas 16 ndeshjeve dallimi mes Cityt dhe liderit Liverpoolit është rritur në 14 pikë. Liverpooli kryeson me 46 pikë, ndërsa City që zë vendin e tretë ka 32 pikë. City ka mbetur tash në garë për vendin e dytë me Leicester Cityn. Leicesteri ka 38 pikë, ndërsa të dielën fitoi 4:1 në udhëtim ndaj Aston Villas.
Po raportohet se koha e Guardiolas te Manchester City është duke përfunduar.

Vetë Guardiola thotë se nuk është reale të mendohet se City do të arrijë Liverpoolin në garë për titull të Premier Leagues.

“Nuk është koha të mendojmë për këtë. Ne duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë dhe duhet të kemi sytë nga ndeshja e ardhshme. Nuk do të ishte reale të mendohet për arritjen e Liverpoolit. Qartë, se është shumë e vështirë, pasi kundërshtari ynë ka fituar 15 nga 16 ndeshjet e fundit dhe është në një seri të jashtëzakonshme. Ne kemi lëshuar pikë. Por detyra jonë është të vazhdojmë. Ne duhet të tentojmë të vazhdojmë. Ka shumë gjëra për të cilat mund të luajmë”, ka thënë Guardiola.

Stinorin e kaluar Manchester City arriti deri te mbrojtja e titullit, pas një serie përfundimtare të jashtëzakonshme. Në fund ishte një pikë para Liverpoolit që doli nënkampion.

Por, këtë stinor Liverpooli është në ritëm të lartë dhe nuk po bën lëshime. Liverpooli të shtunën fitoi 3:0 si mysafir i Bournemouthit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)