Trajneri i shurdhër i futbollit

Trajneri i shurdhër i futbollit

08 December 2019 09:22

Londër, dhjetor (AFP) – Ben Lampert nuk është një trajner stereotip i futbollit. Në vend që të bërtasë nga linja kufizuese e fushës, trajneri i shurdhër jep udhëzimet e tij nëpërmjet gjuhës së shenjave. 34-vjeçari, i cili është trajner te ekipi Brentford FC Community Sports Trust, po dëshmon të jetë një mentor frymëzues për fëmijët, pasi së fundi është nominuar në njërën prej kategorive në “UK Coaching Awards” që do të ndahet gjatë këtij muaji, shkruan sot Koha Ditore.

Lampert, një anëtar i skuadrës britanike të futbollit që fitoi titullin në “Deaflympics 2005” në Australi, ka synime më të mëdha në të ardhmen e tij. Në fund të fundit, ai insiston nëpërmjet gjuhës së shenjave se dëshiron që të jetë trajner i një ekipi profesional.

“Ëndrra ime është shumë e thjeshtë, të stërvit në nivelet më të larta të futbollit, pavarësisht nëse angazhohem si trajner i akademisë apo i ekipit të parë. Por dua që të punoj në një ekip profesional, për shkak se jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë”, tha Lampert përpara se të bëhej gati për të filluar seancën stërvitore me ekipin e dhjetëvjeçarëve.

“Unë besoj se mund ta thyej këtë barrierë dhe të jem trajneri i parë i shurdhër në nivelin profesional. Grupmosha nuk ka rëndësi, pasi unë synoj të arrij një gjë të tillë. Do të ishte diçka madhështore për karrierën time. Për mua asgjë nuk është e pamundur dhe unë jam plotësisht i gatshëm për të punuar në nivelin profesionist, pasi kam të gjitha përgatitjet e duhura”.

Lampert insiston se edhe pse është i shurdhër nuk ka telashe për të kryer punën e tij. Ai është baba i dy djemve dhe pranoi se ekziston një perceptim që njerëzit e shurdhër kanë vështirësi për të pranuar mesazhet nga të tjerët. Por, sipas tij, ky perceptim është plotësisht i gabuar.

"Ka të tillë që mendojnë se unë e kam të pamundur të bëj punën time, për shkak se jam i shurdhër. Por nuk është e vërtetë. Unë kam mundësinë të flas me futbollistët e ekipit tim dhe ata me kuptojnë shumë mirë”, u shpreh Lampert.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme