Për kohë të gjatë palestra “Minatori” në Mitrovicë është vlerësuar arenë e papushtuar, kur në të është paraqitur skuadra e basketbollit Trepça. Por ka vite që “xehetarët” humbin thuajse rregullisht në palestrën që dikur e kishin pikë të fortë, falë përkrahjes së shikuesve. Këtë edicion po vlerësohet se Trepça ka prekur nivel shumë të ulët, fundin madje.
Të dielën mbrëma, Trepça pësoi në palestrën e saj nga Ponte Prizreni me rezultatin e lartë, 103:51. Është kjo prej humbjeve më të thella të Trepçës në Mitrovicë, raporton Koha Ditore.
Prizrenasit që në çerekun e parë krijuan epërsi bindëse, 30:11. Edhe çerekun e dytë Ponte Prizreni e fitoi me rezultat 35:16. Në çerekun e tretë lojtarët e Trepçës shënuan vetëm dy pikë, ndërsa pranuan 19, për të shkuar drejt humbjes turpëruese. Vetëm çereku i katërt, që nuk ndryshonte asgjë, u fitua nga mitrovicasit, me rezultat 22:19.
Trepça renditet e parafundit me 14 pikë nga 12 ndeshje. I ka vetëm dy fitore këtë edicion. Bilanc më të keq ka vetëm Lipjani. Ponte Prizreni renditet i treti me 21 pikë nga 13 ndeshje.
Kriza financiare vlerësohet se ka sjellë edhe krizën e rezultateve te Trepça, e vlerësuar si një prej skuadrave më të mëdha në vend. Trepça ka tre amerikanë në përbërje, por që të dielën nuk bënë dallimin. Më i miri prej tyre, Dj Hanes, shënoi vetëm gjashtë pikë. Njëri amerikan realizoi tri pikë e njëri katër. Më efikasit ishin Agon Selmani e Ramadan Zekiqi me nga vetëm tetë pikë. Malcolm Canada udhëhoqi Ponten me 24 pikë, 14 kërcime e shtatë asistime. Ty Nichols, po ashtu, realizoi 24 pikë, kurse Urim Zenelaj ishte dominues me 10 pikë e plot 19 kërcime. Ai shtoi edhe pesë asistime.
Të shtunën, Bashkimi e fitoi derbin e xhiros ndaj Rahovecit me shifrat 85:81. Rahoveci mbetet i pari me 24 pikë nga 13 ndeshje, kurse Bashkimi është i dyti me 21 pikë. Po të shtunën, Sigal Prishtina arriti fitore të pritur ndaj Feronikelit, ndërsa të dielën Peja fitoi në udhëtim ndaj Lipjanit.