Sport

Prishtina e luan ndeshjen e sezonit pa lider dhe pa kapiten

Foto: Koha

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, është para ndeshjes më të rëndësishme të stinorit në FIBA Europe Cup. Të mërkurën (nesër, 19:00), në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, e pret ekipin nga Gjermania, Medi Bayreuth.

Nëse e mposht me nëntë pikë epërsi, siguron kalimin në fazën tjetër të garave, e nëse humb apo fiton me më pak se nëntë pikë epërsi, atëherë e mbyll për këtë vit në këtë garë. E ndeshjen vendimtare, Prishtina duhet ta luajë pa lojtarët vendimtarë, shkruan “Koha Ditore”. Lideri Dardan Berisha dhe kapiteni Edmond Azemi nuk do të jenë as në këtë ndeshje, pasi mbetën të suspenduar për shkak të kacafytjes mes vete në një ndeshje kampionale të Kosovës.

Ndeshjen e parë në Gjermani, Prishtina e humbi 97:89 dhe tash i duhet një fitore me të paktën nëntë pikë epërsi për të siguruar vendin e dytë në Grupin C. Kjo është ndeshje e xhiros së pestë dhe e gjashta nuk pritet të luajë rol të madh.

Azemi e Berisha i munguan Prishtinës edhe në dy ndeshjet e fundit, përfshirë atë kundër APOEL Nicosias, të cilën klubi kosovar e fitoi thellë javën e shkuar në Qipro.

“Situata tash për tash mbetet ajo që është. Ende nuk ka një vendim për Azemin e Berishën për sa kohë janë të pezulluar. Klubi është mbi të gjithë dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Shkëlzen Fetiu të martën.

Si Prishtina ashtu edhe Medi Bayreuthi kanë nga gjashtë pikë të tubuara deri më tash, por ekipi gjerman mban pozitën e dytë. Dy vendet e para të grupit sigurojnë avancimin në fazën tjetër të grupeve. Vendi i parë tashmë është siguruar nga Ventspilsi letonez, që ka fituar të gjitha ndeshjet.

Për Prishtinën, ky është viti i pestë rresht në këtë garë, kurse suksesin më të madh e regjistroi edicionin e shkuar kur arriti të kualifikohet në 1/8 e finales. Trajneri i Prishtinës, Bujar Loci, e ka parasysh rëndësinë e takimit dhe pret që basketbollistët e tij të japin gjithçka nga vetja për ta mposhtur Medi Bayreuthin me të paktën nëntë pikë epërsi. Loci pranon se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë.

“Kjo është ndeshja më e rëndësishme deri më tash në FIBA Europe Cup, pasi do ta mësojmë edhe fatin tonë në këtë garë. Prej këtij dueli varet kualifikimi ynë, por duhet të fitojmë me nëntë pikë epërsi dhe kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Gjermanët kanë ekip cilësor dhe me lojtarë shumë të mirë, por ne jemi të gatshëm për të dhënë gjithçka nga vetja”, ka thënë Loci. “Jemi maksimalisht të motivuar dhe të përgatitur për këtë duel. Fitorja e fundit në Qipro na ka motivuar dhe gjithashtu pres të kemi përkrahjen e tifozëve për këtë ndeshje shumë të rëndësishme”.

Edhe qendra e ekipit, Fisnik Rugova, që shkëlqeu në ndeshjen e fundit ndaj APOEL-it, beson se më përkrahjen e tifozëve nga tribunat, Prishtina do ta ketë më të lehtë fitoren ndaj Medi Bayreuthit.

“Kjo është ndeshja më e rëndësishme e edicionit dhe duke pasur parasysh këtë, mund të them se gjatë tërë javës jemi përgatitur mirë. Si vendas, mund ta mposhtim çdo ekip dhe këtë e kemi dëshmuar edicionet e fundit, siç ishte rasti me Groningenin. Shpresoj një gjë të tillë ta bëjmë edhe me Medi Bayreuthin, natyrisht me përkrahjen e publikut”, ka thënë Rugova.

I bindur në fitore dhe kualifikim në fazën e dytë të FIBA Europe Cup, është treguar edhe plejmejkeri i Përfaqësueses së Kosovës, amerikani Divine Myles. Ai ka thënë se nëse ekipi aplikon lojë kolektive sikurse në ndeshjet e fundit, atëherë nuk vihen në diskutim triumfi dhe kualifikimi i Prishtinës.

“Kemi një ndeshje të madhe, të cilën patjetër duhet ta fitojmë të paktën me nëntë pikë për t’u kualifikuar tutje. Besoj se do të jemi të fokusuar gjatë tërë ndeshjes, duke aplikuar një lojë kolektive nëpërmjet së cilës do të arrijmë kualifikimin në shtëpinë tonë. Do të ishte diçka shumë e mirë”, është shprehur Myles.

Pas Medi Bayreuthit, Sigal Prishtina javën tjetër e pret në shtëpi skuadrën e Ventspilsit, ndeshje me të cilën edhe do të përfundojë faza e parë e grupeve në FIBA Europe Cup.