Sport

Villarreal, ikona e qytetit të qeramikave

Një vozitje e shkurtër nëpër rrugët e ngushta të Villarrealit mund t’ua japë një ide mbi atë se çka ka më së shumti rëndësi në këtë qytet të vogël në lindje të Spanjës. Dallohen vetëm disa ndërtesa – fabrikat e mëdha të qeramikave që ushqejnë ekonominë lokale dhe stadiumin ikonik “La Ceramica”, që është shtëpia e ekipit të futbollit nga La Liga, Villarreal Club de Futbol.

"Nëndetësja e verdhë" e Spanjës, siç e ka nofkën ekipi për uniformën e verdhë dhe profilin e ulët, është krenaria e këtij qyteti industrial me 50 mijë banorë, që gjendet në afërsi te Valencias. Dhe është kjo skuadër e vogël e drejtuar nga një familje, e cila shpesh sfidon ekipet e mëdha si Real Madrid dhe Barcelona, pavarësisht që ka buxhet dukshëm më të vogël, dhe që ka fituar një rast për ta shfaqur futbollin spanjoll në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Villarreali është duke u përgatitur për të bërë udhëtimin nëpër Atlantik muajin tjetër për t'u përballur me Atletico Madridin, në atë që mund të jetë ndeshja e parë e ligës spanjolle në sezonin e rregullt jashtë Spanjës. Ndeshja në stadiumin e Miamit nuk është konfirmuar, pasi La Liga ende nuk ka marrë miratimin e Federatës spanjolle të futbollit dhe organeve të tjera, por Villarreali është i gatshëm që si klub të vihet në treg edhe jashtë kufijve të Spanjës.

Klubi dëshiron të forcojë imazhin jashtë vendit dhe stilin e lojës sulmuese, që i ka dhënë sukses të konsiderueshëm ndër vite si në Spanjë ashtu edhe në Evropë, përfshirë këtu edhe në paraqitjet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Villarreali nuk do të jetë një i huaj i plotë për tifozët amerikanë, sepse tashmë ka lidhje me SHBA-në, falë disa kampeve që i ka mbajtur në qytetet Dallas dhe New York. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në ekip është sulmuesi italiano-amerikan Giuseppe Rossi, dhe dy amerikanë aktualisht janë pjesë e gjeneratave të reja – Mukwelle Akale dhe Jack Imperato... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)