Sport

Aliti: Kemi pasur presion nga Çekia, nga nesër fillojmë përgatitjet për Ligën e Kombeve

Qendërmbrojtësi Fidan Aliti ka thënë se është ende herët të tregohet se cilat kanë qenë arsyet e humbjes, derisa ka lavdëruar formën e mirë të ekipit të Çekisë.

Ai tutje ka shtuar se ndeshja e sotme nuk ishte ashtu siç ishin ndeshjet e tjera.

“Është e vërtetë që ndeshja jonë nuk ka qenë qysh kemi pas ndeshjet më përpara. Çekia ka qenë fenomenal dhe na kanë bërë punën më të vështirë. Shumë e vështirë tash me thënë pas lojës se çka nuk ka shkuar, jemi shumë të mërzitur për rezultatin”, ka thënë ai.

Aliti thotë se arsye e humbjes nuk ka qenë mungesa e komunikimit mes lojtarëve, duke shtuar se kanë pasur presion të vazhdueshëm nga ekipi i Çekisë.

“Besoj që krejt lojën kemi pas komunikim, nuk ka qenë aty arsyeja, ka qenë shumë e vështirë më hi në lojë sepse na kanë bërë shumë presion. Normal që kemi pas dëshirë me fitu ndeshjen, si krejt shqiptarët”, ka thënë ai.

Aliti ka thënë se sot është i mërzitur me rezultatin por është krenarë me djemtë, pasi thotë se secili ka dhënë kontributin e tij.

“Sot jemi të mërzitur dhe kemi të drejtë me qenë të mërzitur dhe prej nesër fillon përgatitja për ndeshjen në mars”, ka thënë tutje ai.