Bunjaki: Renditja e Kosovës në ranglistën e FIFA-s nuk është reale

Bunjaku thotë se përfaqësuesja e Kosovës do të varet edhe një kohë të gjatë nga futbollistët e diasporës

08 November 2019 23:37
23:53

Ish-përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka thënë se përfaqësuesja e Kosovës do të varet edhe një kohë të gjatë nga futbollistët e diasporës.

Sipas tij, bazë kryesore Kosovës në futboll do të jenë akademitë.

“Mendoj që Kosova do të varet edhe një kohë të gjatë nga futbollistët nga diaspora. Bazë kryesore e kombëtares së Kosovës do të jenë akademitë. Nga 55 shtete që janë në Evropë liga e Kosovës është në pozitën 52. Mendoj që ekzistojnë kushtet, ekziston talenti në Kosovë”, ka thënë ai.

Duke folur për finalet e Kosovës për kualifikim, Bunjaki në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se askush nuk e kishte besuar që Kosova do të kishte një pozitë të tillë, duke shtuar se objektivë e tyre që nga fillimi ishte kualifikimi në vitin 2020.

“Nuk mendoj që Kosova duhet t’i kërkoj falje dikujt pse është në pozicionin që është. Pak njerëz e kanë menduar që Kosova do të jetë në një pozitë të tillë. Objektiva jonë ka qenë kualifikimi në vitin 2020. Ndoshta nuk kam qenë shumë i sigurt që kjo do të ndodhë por është punuar shumë nga të gjithë. Unë mendoj që Kosova ka bërë një punë shumë të mirë dhe gjendet në një pozicion shumë të mirë”, ka thënë ai.

Bunjaki ka folur edhe për Loret Sadikun dhe mospërfshirjen e tij në përfaqësuesen e Kosovës.

“Unë personalisht kam thirr Loretin dhe ai ka pranu që të vijë të luaj për Kosovën por janë dy pjesë të tregimit. Ai ka thënë se ai nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me Shqipërinë dhe ajo marrëveshje ka shkuar në UEFA, dhe kështu është bllokuar. Është rast mjaft i vështirë por kisha pas dëshirë që ky rast të zgjidhet. Është diku një problem juridik. Ne jemi mundu me zgjidh rastin por nuk kemi mund, është mirë që ti shkohet këtij rasti deri në fund, sepse Kosova është mirë të ketë një lojtar si Loreti”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk e sheh vetën si kryetar të federatës derisa shton se ka marrë përgjigje nga UEFA për pozitën e instruktorit teknik.

“Unë kam marr një përgjigje nga UEFA si instruktor teknik. Jemi 45 vet, jem në vëzhgim të analizave të ndryshme. Kjo është shumë e rëndësishme për mua dhe kjo pozitë mund të ma mundësoj që të jap kontributin për Kosovën. Unë nuk e shoh vetën si kryetar të federatës e as si selektor”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka nevojë të kalojë lidership të trajnerëve të ndryshëm.

23:37

Bunjaki: Renditja e Kosovës në ranglistën e FIFA-s nuk është reale

Ish-përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka përsëritur se nuk është pozicion real i Kosovës vendi 114 në ranglistën e FIFA-s.

“Nuk ka qenë real as kur kam qenë unë selektor”, ka thënë Bunjaki, në Interaktiv të KTV-së.

Megjithatë, Bunjaki thotë se Kosova është ngritur shumë shpejt, derisa ka krahasuar se kombëtarja e Anglisë ka luajtur ndeshjen e njëmijtë, derisa Kosova ka diku te rreth 50 ndeshje.

Duke folur për të kaluarën e tij në krye të bankinës së Kosovës, Bunjaki ka thënë se sot është lehtë të reflektohet, 3 vjet pas.

“E kam pasur një përgjegjësi shumë të madhe, dhe nderin që të jem arkitekt i Kombëtares së Kosovës. Nuk jam frikuar dhe nuk kam hezituar që të vijë, sepse e kam ditur që Kosova duhet ta kalojë këtë fazën e vështirë të krijimit”, ka thënë Bunjaki.

Ai ka thënë se aj që e ka nxitur më së shumti që të jetë i pari që merr barrën e krijimit të një ekipi përfaqësues, ka qenë fakti se ka dashur që të japë kontributin e tij, që Kosova të ketë një bazë dhe një bërthamë.

“Mendoj se ia kam arrit që të krijojë këtë bazë, këtë bërthamë dhe tash besoj se kam pas të drejtë me mbledhjen e këtyre lojtarëve”, ka thënë Bunjaki.

Ai ka përmendur sfidat që ka pasur në udhëtime dhe në organizim në fillimet e tij.

Duke folur për nivelin e futbollit në Kosovë, Bunjaki ka thënë se është fat që në Kosovë ka shumë shkolla të futbollit.

“Edhe pse në Kosovë është shumë i zhvilluar futbolli spontan, ose kushtimisht thënë futbolli i rrugës. Shumë rrugë ku është zhvilluar futbolli në Kosovë janë zhdukur, janë ndërtuar ndërtesa”, ka thënë ai.

“Duhet të mendohet edhe për futjen e futbollit në sistemin e edukimit. Megjithatë, bërthama e përfaqësueses së Kosovës duhet të jetë akademia e klubeve të futbollit”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme