Sport

Baseli interesohet për Rexhbeçajn

Ekipi zviceran, Basel, ka shprehur interesim për shërbimet e mesfushorit kosovar, Elvis Rexhbeçaj, që aktualisht është pjesë e Wolfsburgut.

Revista gjermane, “Kicker”, ka shkruar të enjten se Baseli tashmë ka kontaktuar Wolfsburgun për Rexhbeçajn, që e sheh si përforcim të duhur për afatin kalimtar të janarit, shkruan Koha Ditore. Baseli po e kërkon huazimin e mesfushorit 21-vjeçar për gjashtë muaj, me opsionin e blerjes së kartonit të tij.

Aktualisht, kartoni i Rexhbeçajt vlerësohet rreth tetë milionë euro. Ai këtë edicion ka pasur minutazhë shumë të vogël te Wolfsburgu dhe nuk është i kënaqur me statusin e tij. Ka vetëm një paraqitje apo 21 minuta lojë me ekipin e parë në kuadër të Kupës së Gjermanisë.

“Baseli ka shprehur interesim për Rexhbeçajn, i cili sipas të gjitha gjasave në janar do të largohet nga Wolfsburgu për shkak se nuk po ka minutazhë të mjaftueshme. Baseli tashmë ka kontaktuar drejtuesit e Wolfsburgut”, ka shkruar “Kicker”.

Rexhbeçaj në edicionin 2017/18 ka debutuar në Bundesligë me Wolfsburgun, kurse edicionin e shkuar pati 24 paraqitje dhe dy gola e po aq asistime në Bundesligë. Ai ka kontratë me ekipin gjerman deri në vitin 2023, kurse para fillimit të këtij edicioni u kërkua nga Norwichi dhe Leedsi. Ai ka kohë që po kërkohet edhe nga Kosova në nivelin përfaqësues.