Sport

Ballkani mposht Flamurtarin

Descriptive Text

Ka përfunduar ndeshja e parë e ditës së sotme në Superligën e Kosovës, ndërmjet Ballkani dhe Flamurtarit.

Ndeshje kjo e cila u zhvillua në kuadër të javës së 11-të në Suharekë, ku fitore arriti skuadra vendase e Ballkanit me rezultat 3:1.

Ballkani nisi më mirë ndeshjen dhe qysh në minutat e parë të ndeshjes kishte raste të mira shënimi, por golin e parë arriti në minutën e 24-të të ndeshjes me anë të Blend Baftiut.

Fillimisht goli u anulua për një pozitë jashtë lojë, por pas një diskutimi mes gjyqtarëve u vendos që goli të pranohej si i rregullt.

Flamurtari lëshoi rastin më të mirë për të barazuar rezultatin në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Festim Krasniqi nuk arriti të realizojë nga pika e bardhë, transmeton kp.

Djelmoshat e Ismet Munishit arritën të shënonin golin e dytë menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, por ky gol u anulua për pozitë jashtë lojë.

Pas dy minutave, ishte sërish Ballkani që arriti të shënoj gol të rregullt me anë të Artur Magani.

Vendasit nuk u ndalën me kaq. Në minutën e 64-të sulmuesi Jetmir Topalli arriti ta trefishojë epërsinë.

E tëra se çka arriti të bëjë skuadra e Flamurtarit ishte goli i shënuar nga Granchov në minutën e 71-të të ndeshjes.

Me këtë fitore Ballkani mbetet në hap me liderët e Superligës, saktësisht në pozitën e dytë me një pikë më pak se Gjilani, ndërsa Flamurtari në pozitën e 10-të me 9 pikë të grumbulluara.