Ademi pret që nga Anglia të vijnë 7500 tifozë për ndeshjen në Kosovë

23 October 2019 20:10
20:25

Për lojën e Kosovës me Anglinë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka paralajmëruar një numër të madh të tifozëve anglezë të cilët do të vijnë në Kosovë për të parë lojën.

Ndonëse u janë rezervuar vetëm 800 ulëse, sipas Ademit, Kosova do të ketë mbi 7 mijë anglezë atë ditë.

“Çdo biletë do ta ketë emrin dhe mbiemrin, 12 mijë bileta, përveç atyre që u japim anglezëve dhe UEFA-s. Policia e tyre bashkë me policinë tonë do ta mirëmbajnë sepse e dimë që anglezët janë kushtimisht po them të dhunshëm dhe do të kemi kujdes për qytetin dhe anglezët. Vijnë 7 mijë e 500 anglez ndërsa ju takojnë diku rreth 800 bileta”, ka thënë Ademi.

Ademi tha se për hir të raporteve me shtetin anglez dhe njëkohësisht mirëpritjes së tyre në Angli, do të mundohen që t’u ofrojnë më shumë vende.

Ai bëri të ditur se në bashkëpunim me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në mënyrë që pritja për tifozët anglezë të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.

20:22

Ademi: Prokuroria po heton çështjen e biletave, me kërkesë të FFK-së

Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet lidhur me shitjen e biletave për ndeshjet e kombëtares me kërkesë të Federatës, ka thënë kryetari i FFK-së Agim Ademi.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se tregun e zi nuk mund ta kontrollojnë mirëpo ekipi i tij ka zbuluar bileta false dhe për këtë, tha Ademi, është raportuar në Prokurorinë e Shtetit.

“Për tregun e zi neve jo që nuk na intereson por ne nuk mund ta kontrollojmë. Prokurorinë e kemi ftuar ne, unë personalisht, kryetar i federatës. Ne u kemi bërë ftesë sepse komisionet edhe organizatorët tanë kanë zbuluar bileta false. Kjo është dukuri shumë e keqe dhe e bën një tollovi. Te ne shtypen bileta aq sa ka vend”, ka thënë ai.

“Për herë të parë po ua them, nuk ka vend dhe nuk ka biletë që shitet që nuk e dimë se kush e ka ble”, ka thënë Ademi. “Mos harroni që në stadiumin Fadil Vokrri janë 124 kamera”.

20:10

Ademi: Diskriminues vendimi që Çekia s’lejon shtetas të huaj të ndjekin nga stadiumi ndeshjen me Kosovën

Kosova do të udhëtojë në Çeki për ndeshjen e rëndësishme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020, që do të zhvillohet më 14 nëntor në stadiumin “Doosan Arena”.

Ky stadium ka kapacitet prej 11700 ulësesh, prej të cilave 627 janë rezervuar për tifozët e Kosovës. Tifozët e Kosovës duhet t’i blejnë biletat përmes Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në anën tjetër, tifozët e Çekisë mund t’i blejnë biletat për këtë ndeshje. Federata çeke ka paralajmëruar se nuk do t’ju shiten këto bileta asnjë personi që s’është shtetas i Çekisë.

Lidhur me këtë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se një rregull i tillë nuk është praktikë dhe për më tepër është diskriminues.

“Është diskriminim. Më janë lajmëruar disa gjermanë dhe më thanë që nuk kanë mundur ta blejnë biletën. Jo, kjo nuk është praktikë”, ka thënë Ademi. “Po ashtu, sipas tyre, ne duhet t'i dërgojmë në listë emrat dhe atje kur shkojnë përmes listës, t'i marrin biletat. Nuk ndalem në këtë drejtim, as me UEFA-n e me këdo, derisa t'i marr ato bileta fizikisht në dorë. 627 bileta na takojnë neve”, ka thënë Ademi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme