Mercedesi motivohet nga rekordet e Ferrarit

Mercedesi motivohet nga rekordet e Ferrarit

15 October 2019 11:03

Kampioni i Formula 1, Mercedesi, po interesohet se sa larg mund të shkojë në këtë sport, pasi të dielën në garën e mbajtur në Suzuka të Japonisë, siguroi për herë të gjashtë rresht titullin e dyfishtë të kampionit.

Mercedesi tashmë ka siguruar titullin e kampionit te konstruktorët kur kanë mbetur edhe katër gara deri në fund të edicionit, kurse sa i përket titullit të pilotëve, kjo garë do të zhvillohet deri në fund mes kolegëve të kësaj skuderie, Lewis Hamilton e Valtteri Bottas, shkruan sot Koha Ditore.

Hamilton është lider me 64 pikë më shumë se finlandezi Bottas që triumfoi në garën e fundit. Britaniku Hamilton është në rrugë të mbarë për të siguruar titullin e gjashtë. Më shumë tituj kampioni në F1 sesa ai ka vetëm gjermani Michael Schumacher - shtatë.

"Çdo vit ne përpiqemi të vendosim synime që na motivojnë. Kështu që, këtë vit kemi barazuar rekordin e Ferrarit dhe vitin tjetër po synojmë ta kalojmë atë. Besoj se Mercedesi ka edhe shumë rekorde për të thyer", ka thënë drejtori i Mercedesit, Toto Wolff.

Ferrari ka fituar gjashtë herë rresht titullin e kampionit në konkurrencë të konstruktorëve (1999-2004), derisa Schumacher një gjë të tillë e pati bërë pesë herë rresht (2000-2004). Hamilton tashmë ka arritur disa rekorde të Schumacherit, por dy më të mëdhenj ende jo - ato për më së shumti tituj dhe gara të fituara.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme