Sport

Challandes s’mendon për Ligën e Kombeve, kërkon veç fitore ndaj Malit të Zi

Bernard Challandes, përzgjedhësi i Kosovës në futboll, ka thënë se Kosova nuk duhet të humbë fokusin në eliminatoret për Euro 2020, pas fitore së Çekisë ndaj Anglisë.

Fitorja e Çekisë ndaj Anglisë ka komplikuar situatën në Grupin A. Kosova tani është e treta me tetë pikë, katër më pak se çekët e anglezët. Të hënën, “Dardanët” presin Malin e Zi në Prishtinë, ndërsa në dy ndeshjet e radhës luajnë pikërisht me Çekinë si mysafirë e ndaj Anglisë si vendas. Ai ka thënë se situata e re e grupit nuk duhet të bëjë që Kosova të mendojë për kualifikim përmes Ligës së Kombeve, por të synojë të fitojë ndeshjet e mbetura një nga një.

“Për momentin nuk mendoj për Ligën e Kombeve. Për mua s’ka ndryshuar asgjë pas fitores së Çekisë. Kemi shans për kualifikim në rrugën e rregullt. Kemi ndeshjen e vështirë me Malin e Zi. Ndeshja është për t’u fituar. Do të marrim ndeshjet një nga një e më pas do të shohim”, ka thënë ai në konferencën e së dielës, duke shtuar se pret përkrahje të madhe nga tifozët kosovarë.

Nëse dështon kualifikimi përmes eliminatoreve të rregullta, Kosova ka shans për kualifikim edhe përmes play-offit në Ligën e Kombeve. Aty duhet të mposhtë Maqedoninë, dhe fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi për të arritur Evropianin.