Është e vështirë të shihen detajet nga xhirimi i dobët, por është e qartë nga komentimi se diçka e pazakontë kishte ndodhur në kampionatin e shkollave të Anglisë në vitin 2009. Si arriti shkolla Kent të dalë në epërsi në stafetën 4x100 metra? A kishte parregullsi në dorëzimin e stafetës?
"Nuk pashë asnjë flamur të kuq ende", kishte thënë komentatori skeptik.
Për të gjithë që shikojnë atë xhirim dhjetë vjet më vonë, përgjigjja tash është e qartë: në xhirim shihet atletja e parë e Kentit duke ia dorëzuar stafetën 13-vjeçares Dina Asher-Smith.
Xhirimi, i vendosur në YouTube nga nëna e saj Julie, me gjasë është paraqitja e parë televizive e Asher-Smithit. Ajo vrapon fuqishëm dhe ia dorëzon stafetën Sophie Ayret, ndërsa stafeta e Kentit e mbajti vendin e parë, transmeton Koha Ditore shkrimin e The Guardian.
"Ajo ishte aq e lehtë për të punuar me të në skuadër dhe të gjitha kishin argëtim duke stërvitur. Unë isha e treta në stafetë dhe ajo më dorëzoi stafetën dhe kishte gjithmonë një ndërrim të mirë", ka deklaruar Ayre.
Dina Asher-Smith bëri pjesën e dytë të stafetës edhe për Britaninë e Madhe në 4x100 metra në Botërorin në Doha të Katarit fundjavën e kaluar.
Britania arriti të përballojë ofensivën e SHBA-së, duke përfunduar në vend të dytë. Ishte një medalje e argjendtë, për t'ia shtuar të artës në 200 metra dhe të argjendtës në 100 metra që kishte fituar, të dyja me rekorde britanike. Të gjitha këto i arriti me buzëqeshjen e saj magjepsëse.
Dominimi botëror është pranë. Ka zënë vend në revistat "Vogue" dhe "Elle". Vitin e kaluar ajo dhe medalistja e artë në shtatëgarësh, Katarina Johnson-Thompson, defiluan në pistë të modës në Paris.
Të dyja duhet të jenë pikërisht ato yje që i nevojiten atletikës britanike për të kthyer njerëzit në shtigje të atletikës.
Derisa futbolli, kriketi dhe noti ka pasur rënie të nivelit të pjesëmarrjes në nivele fillestare, vrapimi duket se është një sport që po eviton këtë trend, ku afro shtatë milionë njerëz vrapojnë rregullisht.
Rritja e vrapimit nëpër parqe dhe po ashtu shtytja shëndetësore nëpërmjet programeve si "Couch to 5K", ka bërë të ketë më tepër vrapues të rrugës, veçanërisht femra. Mirëpo, numri i njerëzve që marrin pjesë në gara të rregullta të atletikës, si sprint, kërcime së larti apo hedhje të shtizës është duke rënë....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)