Sport

Pas barazimit të dytë, Liburni humb gjasat për kalim tutje

Descriptive Text

Kampioni i Kosovës në futsall, Liburni i Gjakovës, ka barazuar edhe në ndeshjen e dytë të raundit kryesor (Main Round) të Ligës së Kampionëve.

Liburni ka nisur garimin nga ky raund e jo nga ai kualifikues, por tashmë është pa gjasa për të kaluar në raundin elitar, shkruan Koha Ditore. Në Minsk të Bjellorusisë, Liburni të enjten mbrëma luajti 3:3 me Hovocubo, kampionin e Holandës në futsal.

Klubi gjakovar të mërkurën barazoi 5:5 me kampionin e Francës, Toulon Elite, por këto dy barazime nuk mjaftojnë për të mbetur në garë para ndeshjes së tretë. Vetëm fituesi i grupit avancon në raundin elitar, ndërsa grupin do ta fitojë kampionia e Bjellorusisë, Stalitsa Minsk.

Minsku të mërkurën fitoi 9:1 ndaj Hovocubos, kurse të enjten e mposhti 3:1 Toulonin. Me 6 pikë, Minsku ka siguruar vendin e parë në grup. Stalitsa Minsk e Liburni do të takohen të shtunën.

Të enjten dy gola për Liburnin i shënoi Ramadan Alaj, ndërsa një herë realizoi Ermir Kryeziu.