Ernest Gjoka është trajneri më i ri i Shkëndijës.
“KF Shkëndija me kënaqësi njofton se Ernest Gjoka emërohet në pozitën e shefit të stafit teknik”, bëhet e ditur përmes faqes zyrtare të klubit tetovar.
Tekniku 49-të vjeçar nga Tirana ka firmosur kontratë profesionale me kuqezinjtë dhe menjëherë pas zyrtarizimit do të fillojë punën.
“Mendoj se kam ardhur në një klub si Shkëndija që mbi të gjitha është një klub profesional dhe është një klub i ndërtuar me shumë kujdes. Përshtypjet e para janë shumë të mira dhe mendoj e shpresoj që këto përshtypje që do kem sot t’i kem gjatë gjithë kohës që do të punoj këtu. Jam i gatshëm për këtë sfidë, sepse dihet se Shkëndija kërkon gjithçka. Kërkon të jetë gjithë kohës e suksesshme, të jetë kampion, të eci shumë në Europa League, të kap grupet e Europa League apo pse jo edhe Champion League”, u shpreh shefi i ri i stafit teknik të KF Shkëndija, menjëherë pas zyrtarizimit të bashkëpunimit.
Ernest Gjoka është një prej trajnerëve që ka fituar trofe vitet e fundit në Shqipëri, pasi ka drejtuar Kukësin në dy kohë drejt triumfit në Superligën shqiptare dhe Kupën e Shqipërisë.
Përveç Kukësit, Gjoka në karrierën e tij si trajner ka punuar edhe me Vllazninë e Shkodrës, Kamzën, Flamurtarin e Vlorës, Tomorin dhe Apoloninë.