Në Ligën e Kampionëve tashmë është luajtur vetëm një xhiro, por Chelsea në asnjë mënyrë nuk guxon ta humbasë ndeshjen e xhiros së dytë. Megjithatë, askush prej tifozëve të Chelseat nuk pret që mesfushori Christian Pulishiq të paraqitet në duelin e rëndësishëm kundër Lillet të mërkurën mbrëma.
Mesfushori amerikan, i cili kompletoi transferimin e tij në fillim të këtij viti nga Borussia Dortmundi për 66 milionë euro, në tri ndeshjet e fundit të Chelseat në kampionat nuk është aktivizuar fare, derisa rezervist ishte edhe ndaj Valencias para dy javëve në "Champions".
Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, ka thënë se Pulishiq ka nevojë të kalojë një "periudhë adaptimi" dhe ka sugjeruar se amerikani duhet të angazhohet më shumë dhe të tregojë më shumë qëndrueshmëri në stërvitje. Tash për tash, Pulishiq nuk është në planet e trajnerit Lampard, shkruan sot Koha Ditore.
"Unë kam biseduar me të dhe ai besoj se e ka kuptuar situatën në të cilën gjendet. Tash pres nga ai që të punojë edhe më shumë, duke u angazhuar në stërvitje për të më bindur se meriton të luajë", ka thënë Lampard.
E Pulishiq ka pranuar se po ndihet i frustruar që po anashkalohet për ndeshjet e mëdha të Chelseat dhe shpreson që sa më shpejt të kthehet në përbërjen e parë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)