Sport

Një ndeshje si “dardan” - kontributi i shumë lojtarëve në rritjen e Kosovës

Deri në 26 ka shkuar numri i ndeshjeve që janë luajtur me Kosovën nga një lojtar. Më së shumti paraqitje - 26, i ka Amir Rrahmani, ndërsa menjëherë pas tij është Samir Ujkani me 25 paraqitje.

Pason Milot Rashica me 24, Vedat Muriqi me 22 e Mërgim Vojvoda e Besar Halimi me nga 21 ndeshje. Lista e lojtarëve që kanë paraqitje me Kosovën tashmë është goxha e gjatë, ndërsa në të dhënat zyrtare janë regjistruar vetëm paraqitje në ndeshje zyrtare - prej vitit 2014 kur FIFA dha leje për miqësore të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova ka luajtur ndeshjen e parë në fillim të viteve nëntëdhjeta, ndërsa deri në vitin 2014, ndeshjet ishin të rralla. Për këtë arsye, për një kohë shumë të gjatë arritja e numrit prej dhjetë ndeshjeve me fanellën e Kosovës ishte sfidë. Tani Kosova luan ndeshje rregullisht dhe lojtarët që paraqiten vazhdimisht shpesh arrijnë te një shifër më e madhe e takimeve të luajtura.

Por është edhe një grup i lojtarëve që kanë luajtur vetëm nga një ndeshje për Kosovën. Bëhet fjalë për numër jo të vogël lojtarësh, që kontributin e tyre në zhvillimin e përfaqësueses e kanë të kufizuar në një paraqitje. Ka arsye të ndryshme që shumë lojtarë janë kufizuar në një paraqitje. Dikush ka kaluar në përfaqësuese tjetër, dikush nuk ka bindur dhe nuk është ftuar më, dikush ka mbetur i pakënaqur dhe ka refuzuar të vijë e ndonjë edhe ka kryer karrierën apo ka rënë shumë në nivel. Edhe rritja e vazhdueshme e nivelit të përfaqësueses ka bërë që lojtarë të mbeten jashtë menjëherë pas paraqitjes së parë.

(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)