Sport

Ndeshja ndaj Anglisë, ndjenjë krenarie për Kosovën

Foto: Reuters

Në fjalët e trajnerit të tyre, futbollistët e Kosovës nuk janë sikur futbollistët tjerë. “Kam folur me ta për historinë e Kosovës, që ka vuajtur shumë. U kam thënë se nuk janë si lojtarët tjerë, duke njohur vuajtjet e prindërve të tyre dhe gjeneratave të shkuara në Kosovë”, u kishte thënë përzgjedhësi Bernard Challandes “dardanëve” më herët gjatë vitit.

Challandes po fliste kështu pasi ekipi që ai e udhëheq përmbysi rezultatin ndaj Bullgarisë në qershor, në rrugën për “Euro 2020”. Kjo ishte shtysë e madhe për rrugën drejt Evropianit. Ajo u forcua edhe këtë fundjavë, kur Kosova festoi fitoren 2 me 1 ndaj Çekisë në “Fadil Vokrri”. Kosova është e pamposhtur në 15 ndeshjet e fundit, seri që zgjat nga tetori i 2017-s, pavarësisht se u njoh nga UEFA e FIFA vetëm tre vjet më herët. Rritja e tyre është vështirë e besueshme dhe rrëfimi i tyre është ndër më të veçantit në sport e në politikën ndërkombëtare, shkruan prestigjiozja “The Telegraph”, në një rrëfim të radhës suksesi nga mediat britanike për Kosovën.

Vendimi i FIFA-s për t’i dhënë anëtarësimin me të drejta të plota Kosovës më 2016 ishte pritur me entuziazëm të madh. Vetëm tetë vjet kishin shkuar nga shpallja e pavarësisë, deri në momentin që u dha gëzim të madh sportistëve se ëndrra po bëhet realitet, vazhdon ky medium në shkrimin për Kosovën.

“Për vetë Kosovën, kjo është sikur njohje shtetërore”, ka thënë David Webber, ligjërues për futbollin në Universitetin Solent në Southampton të Anglisë, aty ku dy kombëtaret do të takohen të martën në mbrëmje. “Rrëfimi më i gjerë këtu është njohja dhe njohje e një shteti që ka qenë në presion ekstrem nga shtete tjera”.

“E gjithë kjo zhvillohet në politikë, në diplomaci e krijim të statutit, por FIFA është me rol të rëndësishëm. FIFA u ofron shteteve diçka që institucione të mëdha të qeverisjes globale nuk u japin shpesh shteteve, e kjo është njohja. Njohje e sovranitetit të tyre, njohje e pavarësisë”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Ndeshja me Anglinë shihet si ndeshja e profilit më të lartë që ka zhvilluar deri tash Kosova në futboll.

“Të martën në mbrëmje do të jetë ndjenjë krenarie”, ka thënë Webber. “Të qenit aty, të qenit i njohur, të luash futboll në Angli – kjo është diçka që shumë kosovarë do ta duan”.

“Brazili i Ballkanit”, nofkë që u vu nga tifozët si rezultat i ekipit të ri e sulmues, është tregues se çfarë emocionesh ka rreth ekipit në shtëpi, sipas “The Telegraph”. Mosha mesatare e ekipit që mposhti Çekinë ishte vetëm 23 dhe kosovarët kanë mundësi të arrijnë në “Euro 2020” edhe përmes Ligës së Kombeve.

“Telegraph” ka përmendur yllin e Swanseas Bersant Celinën, atë të Huddersfieldit Florent Hadërgjonajn, të Nottinghamit Arijanet Muriqin, si lojtarët që mund t’i njohin më së miri tifozët anglezë. Mediumi anglez shkruan edhe për faktin që lojtarët e Kosovës janë shumica që janë rritur jashtë vendit, që u përball me luftë para 20 vjetësh. Adnan Januzaj, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë tre yjet tjera të mëdha botërore që kanë rrënjë nga Kosova.

“Rritja e Kosovës është e nxitur nga emocionet. Ekziston një ndjenjë krenarie për arritjet e deritashme, dhe një ndjenjë që futbollistët po e nderojnë Fadil Vokrrin, ish-lojtarin që u bë president i Federatës së Futbollit të Kosovës. Vokrri, që ishte vendimtar në luftën e suksesshme për t’u njohur nga bota e futbollit, vdiq vitin e shkuar, në moshën 57-vjeçare. Kur Anglia do të luajë më vonë gjatë këtij viti, atë do ta bëjë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, shkruan “The Telegraph”.

“The Telegraph” ka theksuar edhe arrestimin e tetë çekëve ditë më parë në Kosovë, që dyshohet se kishin tentuar përmes një droni të vendosnin flamurin “Kosova është Serbi” gjatë ndeshjes.

“Një vatër e talentit të futbollit dhe tensioneve politike, Kosova po e gjen vendin e vet në botë pas 11 vjetësh pavarësi. Ekipi kombëtar ka luajtur – dhe do të luajë – rol kyç në këtë udhëtim”, përfundon shkrimi dedikuar Kosovës.