E gjatë është lista e sukseseve të Zdenko Kordit si trajner i hendbollit. Kroati me karrierë prej mbi katër dekadash si trajner, në listën e gjatë të sukseseve, në pranverë shtoi edhe titullin e kampionit të Kosovës, të cilin e fitoi me Besa Famgas.
Tani Kordi po e përgatit skuadrën pejane për të befasuar në Kupën e EHF-së. Më shumë se për suksesin në Evropë, Kordi është i interesuar të zhvillojë diçka në klubin pejan, që vlerësohet shembull i organizimit në hendbollin, por edhe në sportin kosovar në përgjithësi, shkruan Koha Ditore.
Plot risi ka pasur te Besa Famgas prej se kroati Zdenko Kordi është në klub. Ai erdhi vjeshtën e vitit të kaluar, por deri në mars punoi në hije, pa post zyrtar apo të paktën publik. Në mars u zyrtarizua në postin e trajnerit dhe Besa me gjithë konkurrencën shumë të fortë nga Kastrioti i Ferizajt, ia doli të vazhdojë dominimin në Superligë, duke fituar titullin e kampionit.
Besa ka kohë që ka nisur përgatitjet për edicionin e ri. Dhe skuadra pejane po luan miqësore me skuadra të vendeve të rajonit, praktikë jo shumë e përhapur deri më tani në hendbollin kosovar. Deri më tani klubet kryesisht kanë luajtur mes vete e jo me klube të vendeve të tjera, me ndonjë përjashtim. Por një klub serioz matet më së miri në përballje me klube nga vende të tjera.
Besa herët në shtator, më 7 e 8 shtator, luan në Pejë ndaj skuadrës së madhe zvicerane, Pfadi Winterthur, në rrethin e parë të Kupës së EHF-së. Te Winterthuri vlerësojnë se janë superiorë ndaj Besës dhe për këtë kanë pranuar që dy takimet t'i luajnë në Pejë... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)