Dy skuadra shqiptare të futbollit të femrave kanë arritur sukses historik këtë muaj. KFF Mitrovica dhe Vllaznia e Shkodrës kanë fituar grupet përkatëse në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe kështu kanë zënë vend në mesin e 32 skuadrave më të mira në Evropë. Tani do të luajnë në 1\16 e finales së Championsit.
Mitrovica e Vllaznia mund të kenë shumë të përbashkëta e shumë gjëra të përafërta. Por "lidhja" më e fortë mes tyre është Ambra Gjegji, shkruan Koha Ditore. Futbollistja 22-vjeçare ka bërë karrierë shumëvjeçare te Vllaznia dhe ka fituar shumë trofe me skuadrën shkodrane. Por suksesin më të madh në karrierë e ka arritur me Mitrovicën.
Me Mitrovicën po ashtu ka shënuar golat më të rëndësishme në karrierë. Bëhet fjalë për golat e realizuara më herët këtë muaj në stadiumin e qytetit në Nikshiq të Malit të Zi. Ishin gola të shënuara nga afërsia, por gjithsesi me peshë shumë të madhe. Gjegji shënoi golin e dytë në fitoren 2:1 të Mitrovicës ndaj kampiones së Rumanisë, Olimpia Cluj. Ishte fitore befasuese, ndaj favorites së grupit, që i hapi rrugë kualifikimit të Mitrovicës. Më pas Ambra Gjegji shënoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj NSA Sofia, kampiones së Bullgarisë. Në fund Mitrovica fitoi edhe ndaj Breznicas së Malit të Zi dhe me tri fitore fitoi grupin dhe kompletoi suksesin historik. Gjegji në ndeshjen e tretë nuk shënoi në fitoren 1:0, por dha kontributin e saj në repartin ofensiv.
"Me KFF Mitrovicën kemi arritur një sukses që bën krenar jo vetëm qytetin e Mitrovicës, por gjithë Kosovën. Është hera e parë që një ekip futbolli për femra arrin këtë rezultat, që mund të themi është historik. Të jesh në mesin e 32 skuadrave më të mira në Evropë nuk është pak, është gjë e madhe", ka thënë Ambra Gjegji në një bisedë për Kohën Ditore ku mund ta lexoni artikullin e plotë.