Tovërlani: Dështimi i klubeve nuk mund të arsyetohet Foto: Driton Paçarada / KD

Tovërlani: Dështimi i klubeve nuk mund të arsyetohet

Arsim Maxhera Arsim Maxhera 18 August 2019 07:00

Njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në vend, Afrim Tovërlani, vlerëson se paraqitja e skuadrave kosovare të futbollit në Kupat Evropiane gjatë kësaj vere nuk ishte e suksesshme.

Për më tepër, Tovërlani e vlerëson dështim fushatën e Feronikelit dhe të Prishtinës, kur për bazë i merr kundërshtarët që kishin dy klubet që përfaqësuan vendin në Evropë, shkruan sot Koha Ditore.

Kampioni Feronikeli është ndalur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve e më pas edhe në Ligën e Evropës, ndërsa Prishtina u ndal në raundin parakualifikues të Ligës së Evropës.

Sipas Tovërlanit, eliminimi nga skuadra amatore, si ato të Gjibraltarit, është i papranueshëm. Ai thotë se ka përfunduar koha kur drejtues të klubeve, por edhe trajnerë e lojtarë, kanë arsyetuar mossukseset me mungesë të përvojës, mungesë të kushteve dhe infrastrukturës.

Tovërlani vlerëson përmirësimet e bëra në futbollin kosovar, sidomos lidhur me të hyrat e lojtarëve, por thotë se shumë punë duhet të kryhen për të ecur në rrugën e duhur. Ikona prishtinase vlerëson se Kosova ka rast të artë që të bëjë emër përmes futbollit, edhe atij të klubeve, në një kohë kur shumica e klubeve të regjionit janë në krizë.

52-vjeçari Tovërlani ishte prej lojtarëve më të mirë të Prishtinës, për shumë kohë lider i saj. Po aq i suksesshëm ishte edhe si trajner, ndërsa aktualisht nuk është i angazhuar në ndonjë klub.

Ka fituar tre tituj me Prishtinën e një me Feronikelin e po ashtu Kupën e Kosovës me të dy skuadrat. Ka udhëhequr edhe klube të tjera, duke përfshirë Trepçën '89 e Ferizajn. Vazhdon të jetë prej trajnerëve më të vlerësuar në vend.

KD: Si e vlerësoni fushatën e skuadrave kosovare në Kupat Evropiane?

Afrim Tovërlani: Ishte një fushatë që mund të përkufizohet si e dështuar, jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitin e kaluar. Te një përfundim i tillë vij kur marr për bazë kundërshtarët që kishin përballë si Prishtina ashtu edhe Feronikeli.

Më nuk mund të shërbehemi me arsyetimet si mungesa e përvojës. Për shembull, Prishtina për trajner e ka Mirel Josën, që me Skënderbeun kishte përvojë të gjatë në kualifikime për kupat evropiane. Po ashtu Prishtina ka në përbërje lojtarë që kanë luajtur ndeshje evropiane. E përsëris, për mua paraqitja është dështim, kur merren për bazë skuadrat që kishin përballë si Prishtina në parakualifikimet e Ligës së Evropës ashtu edhe Feronikeli në Ligën e Kampionëve....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme