Klubi i futbollit Mitrovica, në kategorinë e femrave, ka arritur suksesin historik për futbollin e Kosovës duke fituar grupin kualifikues në Ligën e Kampionëve dhe tash duke zënë vend në mesin e 32 ekipeve më të mira në Evropë.
Kjo u arrit pas tri fitoreve në po aq ndeshje në Grupin 2 kualifikues.
Fitorja e fundit e ekipit të Seid Onbashit erdhi ndaj Breznicës së Malit të Zi, të cilin ekip mitrovicasit e mposhtën 1 me 0 në Nikshiq me golin e Kaltrina Biqkajt në minutën e 90-të.
Kosovareve u mjaftonte në këtë ndeshje vetëm një barazim.
Me këtë fitore, Mitrovica shkruan historinë e futbollit të Kosovës duke u bërë ekipi i parë që merr pjesë në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve në konkurrencën e femrave.
Shorti për rrethin e dytë do të tërhiqet më 16 gusht në Nion, derisa ndeshjet e këtij rrethi do të zhvillohen me sistem eliminimi më 11 ose 12 shtator dhe më 25 ose 26 shtator.