Sport

Ilir Latifi të shtunën kthehet në oktogon, thotë se do të jetë luftë ndaj Oezdemirit

Ilir Latifi më në fund do të kthehet në oktogon për t’u përballur me zviceranin Volkan Oezdemir, meçin ndaj të cilit ia kishte mohuar një lëndim në shpinë.

Latifi e Oezdemir kishin humbur mundësinë që të afroheshin drejt titullit në UFC, për shkak të lëndimit që kishte pësuar luftëtari shqiptar dy ditë para meçit të qershorit, transmeton Koha.net.

Megjithatë, këta dy luftëtarë të të Arteve Marciale të Përziera (MMA) rikthehen në oktogon më 10 gusht, meç ky i cili do të mbahet në Antel Arena në Montevideo, Uruguai.

E ky është një meç i një rëndësie të veçantë për të dytë.

Latifi insiston se do të jetë një luftë e vërtetë ndërmjet tyre.

“E di se ai vjen i përgatitur, është një meç shumë i rëndësishëm edhe për të, gjithashtu”, shprehet Latifi për Oezdemirin, i cili në mars kishte humbur nga Dominick Reyes përballje të cilën shumë shikues mendojnë se do të duhej t’i takonte zviceranit.

“Ai do të jetë i uritur dhe do të japë gjithçka nga vetja. Unë jam i përgatitur e do të jetë një luftë”, thotë Latifi, raporton ufc.com.

Latifi e Oezdemir kanë një miqësi shumë të mirë, derisa me parë edhe kanë stërvitur së bashku. Por, luftëtari shqiptar thotë se miqësia e tyre rikthehet pas meçit.

“Është gjithmonë shumë e vështirë të luftosh kundër një miku apo një partneri në stërvitje, por të dy jemi atletë, sportistë dhe nuk është asgjë personale, thjesht kjo është puna.Të dytë jemi të përgatitur për këtë luftë dhe më i miri do të fitojë”, thotë Latifi.