Alvesi prezantohet në mënyrë madhështore te Sao Paulo, synon Botërorin 2022

Alvesi prezantohet në mënyrë madhështore te Sao Paulo, synon Botërorin 2022

07 August 2019 19:53

Më tepër se 40 mijë tifozë brazilianë janë paraqitur për të parë Dani Alvesin duke u kthyer në klubin e tij të fëmijërisë, Sao Paulo FC.

Ish-mbrojtësi i Sevillas, Barcelonës, Juventusit e Paris Saint-Germainit, ka thënë se synimi i tij është të mbetet në formë për Botërorin 2022 në Katar, kur do të jetë 39-vjeçar.

Kapiteni i përfaqësueses së Brazilit, që e fitoi Copa American, ka firmosur kontratë deri në dhjetor të vitit 2022. Ai u largua nga Parisi si lojtar i lirë pasi kontrata i skadoi në korrik, transmeton Koha Ditore.

Alves ka fituar 40 trofe në karrierën e tij profesioniste dhe po shikon të fitojë edhe të tjerë.

"Unë kam ëndërr që të luaj në Botërorin e ardhshëm dhe më duhet një skuadër që ka besim në mua, në historinë time në futboll. Unë kam ardhur te Sao Paulo për të sjellë rezultate dhe nuk dua që ndokush të mendoj se kam ardhur të mbyll karrierën. Ende kam synime", ka thënë Alves.

Alves nuk luajti në Botërorin e vitit të kaluar në Rusi për shkak të një lëndimi të gjurit. Ai ishte në përfaqësuesen e Brazilit në Botërorin 2010 dhe 2014, por në të dyja rastet kishte humbur vendin në përbërjen startuese nga Maiconi.

Alves ka lëvizur në mesfushë për të zgjatur karrierën e tij.

Një lojtar tjetër historik i Sao Paulos, fituesi i lojtarit të vitit nga FIFA më 2007, Leite Kaka, ia ka dorëzuar Alvesit fanellën me numër 10 në prani të një numri të madh të tifozëve, që nuk kanë parë klubin e tyre të fitojë trofe të madh që nga Copa Sudamericana e vitit 2012.

"Sot Sao Paulo nuk ka transferuar një lojtar, por klubi ka transferuar një tifoz siç jeni ju të gjithë", u është drejtuar Alves adhuruesve.

Yjet e Barcelonës, Lionel Messi e Luis Suarez, janë paraqitur në një monitor gjigant në stadiumin "Morumbi" me mesazhe për brazilianin Alves.

"Dua të uroj më të mirën në këtë fazë të karrierës tënde. Shpresoj të shijosh rikthimin në vendin tënd", ka thënë Messi.

Alves ka thënë se dëshiron të luajë të shtunën kundër liderit të kampionatit brazilian Santos, por mjekët e klubit nuk janë të sigurt nëse do të jetë e mundur.

Sao Paulo është në vend të pestë aktualisht në kampionatin brazilian me 21 pikë nga 12 ndeshje, 11 larg liderit.

Alves nuk ka luajtur që nga triumfi i Brazilit 3:1 në finale të Copa Americas më 7 korrik në stadiumin "Maracana".

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme