Sport

Lindja e “Skuadrës së artë” hungareze në LO “Helsinki 1952”

Përfaqësuesja e futbollit e Hungarisë, që ishte kampione olimpike në vitin 1952, njihet ndryshe si “Skuadra e artë” e cila ka revolucionarizuar sportin, duke prezantuar mënyrën e të luajturit në disa pozita. Po ashtu ishte pioniere e një formacioni, që çoi në ngritjen e asaj që u quajt më vonë “Futboll Total”.

Rritja e lojtarëve në fushë, për çka morën statusin e yjve, mbaroi me një humbje të papritur në Bern në finale të Kupës së Botës të vitit 1954 ndaj Gjermanisë Perëndimore.

Emrat e tyre ishin Jozsef Bozsik, Zoltan Czibor, Gyula Grosics, Nandor Hidegkuti, Sandor Kocsis dhe Ferenc Pushkash, dhe ishin lojtarë kyç në një skuadër legjendare. Ata kishin edhe nofkat. Për shembull, “Koka e artë” ishte ajo e Kocsisit, “Plaku” e Hidegkutit, “Pantera e zezë” e portierit Grosics dhe “Majori kalërues” i kapitenit Pushkash, shkruan “Olympic.org”, transmeton “Koha Ditore”.

Në fillim të viteve ‘50, Hungaria formoi skuadrën më të mirë të futbollit në planet. 11 lojtarë revolucionarizuan lojën dhe u prezantuan para botës në Lojërat Olimpike të vitit 1952 në Helsinki. Aty morën nofkat legjendare si “Skuadra e Artë”, “Hungarezët magjik” dhe “Hungarezët e fuqishëm”.

Këtë skuadër e bëri bashkë Gustav Sebes, trajneri i Budapest Honvedit dhe seleksionuesi i Hungarisë, që ishte në gjendje të bindte autoritetet politike hungareze, atëbotë nën kontrollin sovjetik, të regjistronin një skuadër në Lojërat Olimpike, duke folur për potencialin e skuadrës.

“Kishte disa skuadra të mëdha në atë kohë, Bashkimi Sovjetik, Austria, Suedia, Jugosllavia, Italia, por unë ndieja se kishim lojtarët dhe taktikën për të garuar me të gjithë”, kishte thënë Sebes më vonë për FIFA-n.

Në atë kohë formacioni që përdorej ishte “WM”. Në mbrojtje ishin tre lojtarë, më pas dy mesfushorë para, para tyre dy mesfushorë ofensivë, e në sulm një treshe që përfshinte dy alo dhe një qendërsulmues. Si trajner i Budapest Honvedit, ku shumë nga reprezentuesit e Hungarisë kishin luajtur, Sebes bëri një plan taktik ku lojtarët mund të ndërronin formacionet, në një formacion 2-3-3-2, që u zhvillua në 4-2-4. Është formacioni paraardhës i atij 4-4-2 të sotëm. Hungaria kishte shkatërruar çdo skuadër nga viti 1950 deri më 1956, duke shënuar 42 fitore, barazuar shtatë herë dhe regjistruar vetëm një humbje.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)