Është pritur që Përfaqësuesja U-19 e Kosovës në hendboll (femrat) të pësojë humbje në ndeshjen e dytë të Kampionatit Evropian, Divizioni B, gjatë ditës së martë, kur u përball me Çekinë (10:32). Mirëpo nuk mund të thuhet se kështu është pritur t'iu ndodhë të gjitha ekipeve shqiptare që u paraqitën gjatë ditës së martë.
Sidomos nuk është pritur që dy ndeshjet e fundit të ditës së martë të përfundojnë me humbjen e Shkëndijës së Tetovës dhe Feronikelit, në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve. Të dyja ekipet nxorën rezultate të mira në ndeshjet e para si mysafirë, në veçanti Shkëndija që triumfoi (1:0) në Estoni ndaj Nomme Kalju. Ndërkohë, Feronikeli kishte barazuar (2:2) kundër kampionit të Uellsit, The New Saints, shkruan sot Koha Ditore.
Pak orë para fillimit të ndeshjes ndërmjet Feronikelit dhe TNS-së në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, Shkëndija konfirmoi eliminimin. Kampionia e Maqedonisë së Veriut pësoi në shtëpi 2:1, pasi pranoi gol në minutat e lojës shtesë. Pas eliminimit të Shkëndijës, sytë ishin kthyer nga Feronikeli, por edhe kampioni i Kosovës pati fatin e njëjtë. Pësoi 1:0 në shtëpi, dhe së bashku me Shkëndijën do t'i vazhdojnë garat në raundin e dytë eliminator të Ligës së Evropës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)