Sport

Fenerbahçe zyrtarizon Vedat Muriqin

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili deri para pakë ditësh aktivizohej tek skuadra turke Rizespor, ka zyrtarizuar kalimin e tij te skuadra tjetër turke, Fenerbahçe.

Lëvizja e tij këtë afat kalimtar ka qenë temë e mediave atje, por edhe e mediave tjera botërore, pasi ai ishte i lidhur me disa skuadra në Serie A por edhe në Francë, përpos në Turqi.

Ndonëse klubi më i përafërt që pritej t’i bashkohej Muriqi ishte Galatasaray, ai sot është zyrtarizuar tek rivalët e tyre, Fenerbahçe, raporton Koha.net.

“Është arritur marrëveshje me Vedat Muriqin, i cili ka luajtur për Çaykur Rizespor, një nga ekipet e Super Ligës, si rezultat i negociuatave me klubin e tij dhe me vetë atë brenda kornizës së procedurave të UEFA-s për transfere. Pas kontrolleve mjekësore, lojtari do të jetë i lidhur me ngjyrat tona. Katër vjetët e ardhshme, ai do të bartë me krenari uniformën”, thuhet në deklaratën e klubit të tij të ri, Fenerbahçe.

Klubi i ka uruar sulmuesit të kombëtares së Kosovës suksese në “familjen e madhe turke” dhe “shumë suksese me Fenerbahçen”.