00:07

Ademi: Aktakuza ndaj meje nuk do të ndikojë tek suksesi i kombëtares

Kryetari i FFK-së, ka thënë se aktakuza e tij nuk do të ndikojë tek suksesi i kombëtares së Kosovës.

Sipas tij, aktakuza ishte bërë nga prokurorët e EULEX-it, derisa ai pretendon se në aktakuzë ka shkelje.

Ademi ka thënë se rasti i tij nuk do të ketë ndikim në rezultatin dhe imazhin e mirë që ka marrë kombëtarja e Kosovës.

“Nuk besoj që do të ketë pengesë sepse rasti do të sqarohet. Unë jam në fund të karrierës sime dhe besoj që dëshira dhe mundësia jonë është kualifikimi i Kosovës. Po mundohem të kemi sa më pak ndikim tek ajo pjesa ku i ka bërë krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës”, thotë ai.

Ai tutje shton se,Komuna e Prishtinës iu ka dhënë një stadium në Hajvali, derisa shton se, ai do të jetë ndihmës i stadiumit “Fadil Vokrri”.

Ademi ka shtuar se Apeli do ta trajtojë me urgjencë lëndën dhe se shumë shpejtë do të merret vendimi.

“Shkuarja në apel besoj që nuk do të zgjatë sepse Apeli nuk i zgjatë lëndët e tilla. Do të jetë kërkesa ime që të trajtohet më shpejt. Unë besoj në drejtësi dhe besoj që fundi i kësaj pune do të jetë i mirë”, u shpreh Ademi.

Duke folur për stadiumin kombëtares ai ka thënë se nëse dinamika e punës ecën ashtu siç është planifikuar, stadiumi do të kryhet në afat.

Ndërkaq për praninë e Kadri Veselit në zhveshtoret e lojtarëve ai ka thënë se Kosova është shtet i vogël dhe të gjithë i gëzohen arritjeve.

“Ne kemi qenë të gjithë për sportin dhe i jemi gëzuar të gjithë fitoreve. Në shtetet tjera kjo ndodhë po nuk bëhet e madhe. Ne jemi në formën më të mirë dhe në afërsinë më të mundshme për kualifikim në Kampionatin Evropian dhe është e domosdoshme që ne të gjithë të iu ofrojmë çdo gjë që ta vazhdojnë aktivitetin e tyre”, ka shtuar ai.

Ndërkaq për paraqitjen e ekipeve vendase dhe paraqitjen e Feronikelit, ai është shprehur optimist se do të arrijnë edhe më lartë.

“Më gëzon shumë fakti që lojën e fundit e kanë fituar edhe pse në fushë ishte një futbollist më pak. Më ka zhgënjyer Prishtina e cila e ka një traditë ndryshe dhe është dashur që të fitojnë. Më është dukur rezultati jo real”, ka thënë ai duke shtuar se kishte pritur fitore nga klubi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se krahasimet mes klubeve dhe kombëtares nuk mund të bëhen, ani pse thotë se, cilësia dallon për shkak se lojtarët e kombëtares luajnë në ekipe të mëdha botërore.

“Për momentin dallon. Mirëpo ne po ecim me hapa të sigurt dhe çdo vit po bëjmë përparime. Janë dy prurje në ekipin A, jam shumë i lumtur që grupit i është bashkuar Florent Hadërgjonaj dhe Florent Muslija”, ka thënë ai.

E, duke folur për Adnan Januzajn, ai ka thënë se edhe ish presidenti i FFK-së Fadil Vokrri kishte provuar që Januzaj të ishte pjesë e kombëtares, mirëpo që nuk kanë arritur.

“Ne kemi bërë përpjekje të bëjmë një afrim apo takim por nuk kemi arritur, është një futbollist që po dëshmohet”, ka shtuar ai.

23:59

Ademi tregon pse s’dorëhiqet, synon ta pastrojë emrin e tij

Kreu i FFK-së, Agim Ademi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentit të FFK-së përkundër dënimit që i është shqiptuar.

Ademi është dënuar për nëntë muaj burgim efektiv për kërcënim dhe sulm ndaj Dritëro Kadollit, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ademi ka thënë se nuk e ka njohur më parë Kadollin dhe e ka takuar vetëm njëherë.

Ai insiston se veprimet për pastrimin e emrit të tij do t’i ndërmarrë pas pranimit të vendimit të Gjykatës.

“Dëshiroj që këtë vendim ta marr dhe të shoh ku është bazuar dënimi, sepse edhe njohësit e drejtësisë që e dinë rastin thonë se ky është rasti i parë që një dënim i tillë të merret më kësolloj veprash tentative. Do të vazhdoj me procedurat e tjera dhe të shtjerri çdo mundësi që të pastroj personalitetin tim. Pothuajse 60 vjet i bëra dhe nuk kam pasur asnjëherë një vepër të tillë e dua të pastroj emrin tim e të mos lë njollë për institucionin që drejtoj e familjen time”, ka thënë Ademi.

Ai thotë se është i gatshëm të merrë përgjegjësi nëse gjendet ndonjë telefonatë apo sms rreth këtyra akuzave.

“Jemi njerëz që jetojmë me llojlloj shoqërie dhe normalisht që jeta të takon me çdokënd. Me këtë njeri nuk kam pasur asnjë të keqe apo të mirë, pasi nuk e kam njohur asnjëherë. Njëherë jam takuar me Kadollin përmes një shokut. Më është ofruar një tokë për të blerë, por ajo ishte në emër të një serbi, prandaj jam tërhequr. Jam mbajtur një kohë nga Eulexi, pas kthimit tim nga Amerika, dhe më pas jam liruar dhe është vlerësuar si diçka skandaloze. Unë jam i pafajshëm nga ky rast”, ka thënë Ademi.

Kreu i FFK-së dënohet me 9 muaj burgim efektiv

Ademi theksoi se s’do të japë dorëheqje nga kreu i FFK-së, pasi ka besimin e delegatëve dhe gjithashtu edhe të UEFA-s dhe FIFA-s.

“Mandatin mua më kanë dhënë delegatët e futbollit, dhe u bindem vullnetit të tyre. Jam munduar dhe besoj se besimin e tyre jam duke e kryer me sukses, e përkrahjen e tyre e mora edhe sot. Unë do të shkoj radhazi, do të eci rrugës së drejtësisë atë e lejon ligji dhe normat e Federatës. Unë do të qëndroj aty ku jam, dhe jam konsultuar për këto me UEFA-n dhe FIFA-n, sigurisht se janë të shqetësuar dhe ata janë të njoftuar për këto, por më kanë dhënë mbështetje. Do të shohim se kush do të jetë fajtor në fund”, ka thënë Ademi.

Ademi ka shtuar se UEFA mund ta kërkojë dorëheqjen e tij, por vetëm nëse e sheh se është bërë shkelje diku.

“Por fakti që s’ka të bëjë brenda futbollit dhe ka të bëjë për personalitetin tim. Unë do të marr vendimin, do të shoh të gjitha rrugët derisa ai të jetë i plotfuqishëm. Nëse vërtetohet kjo fajësi në shkallët e tjera, sigurisht se s’do t’iu vjen mirë, por në formën aktuale që është unë e kam mbështetjen e UEFA-s. Që nga zgjedhja ime asnjë veprim nuk kam bërë pa i njoftuar ata. Moralisht dorëheqjen nuk e kam menduar, pasi primare është të pastroj personalitetin tim”, ka thënë Ademi.

Ai ka theksuar veprimet e mëtutjeshme do t’i ndërmerr pas pranimit të vendimin dhe rastin do ta dërgojë edhe në Gjykatë të Apelit.

“Nuk kam ndërhyrë në drejtësi deri më tani dhe s’do ta bëj para se të pranoj vendimin, e të shoh se si është vendosur për të. Besoj në institucione derisa nuk vërtetohet ndryshe. Këtë do ta dërgoj në Gjykatën e Apelit. Nuk e kam pritur që do të vijë një vendim i tillë, pasi nuk ka pasur prova”, ka thënë Ademi.