Kampioni i Kosovës në futsal (futboll të sallës), Liburni i Gjakovës, do të luajë në raundin kryesor (Main Round) të Ligës së Kampionëve në futsal.
Raundi kryesor luhet prej 8 deri më 13 tetor, ndërsa shorti për këtë fazë e po ashtu për raundin preliminar është tërhequr të enjten.
Liburni është në grupin e shtatë, ku bën pjesë edhe kampioni i Bjellorusisë, Stalitsa Minsk.
Pikërisht në Minsk do të zhvillohet turneu i grupit, ndërsa vetëm fituesi kalon në raundin elitar.
Liburni do të luajë edhe me fituesin e grupit G dhe fituesin e grupit A.
"Grupi do të jetë dinamik dhe i vështirë, por ne do të mundohemi me gjithë çka kemi, që emrin e Liburnit, Gjakovës dhe Kosovës ta dërgojmë në 16-shen më të mirë të kontinentit. Skuadra është në top-formë si fizikisht ashtu edhe moralisht dhe djelmoshat do të luftojnë shumë që të arrijnë elitën e këtij kompeticioni. Do të shkojmë të përfaqësojmë Republikën e Kosovës në një shtet i cili nuk na njeh dhe të dalim fitimtarë", thuhet në njoftimin e Liburnit të enjten.