Sport

Atë që s’po e bën politika po e bën sporti, thotë Kuka

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka thënë se nuk ka pritur që në Lojërat Evropiane që po zhvillohen në Minks të Bjellorusisë të fitojë tri medalje.

Majlinda Kelmendi fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë, Nora Gjakova të argjendtën në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Loriana Kuka të bronztën në kategorinë deri 78 kilogramë. E i gjithë ky sukses në një vend që se njeh Kosovën, sipas Kukës, tregon atë që po thuhet në popull se sporti po e bën atë që s'po e bën politika.

“Kësaj radhe kemi shkuar me pretendime më të mëdha, por kam pretenduar dy medalje. Dolëm me tri. Po të merrte pjesë Distria do të vinte edhe e katërta ndoshta. Akili pati një gabim në luftën e dytë, por diçka që ndodh në sport. Ajo që më së paku e kam pritur është Loriana të fitojë medalje. Më ka befasuar e më dha emocion të jashtëzakonshëm. Dirigjente ishin Majlinda e Nora. Nora ishte e jashtëzakonshme deri në finale, dominoi plotësisht e në finale e bëri një gabim në fillim e që s’arriti ta rikuperojë. Ajo që jemi mësuar të na gëzojë na gëzoi prapë, pati rikthim të fuqishëm pas dy vjetësh”, ka thënë ai për KTV-në.

“Është bërë zhargon se çka s’po arrin politika, po e arrin sporti. Për ne të xhudos, nuk e di a ka ndonjë shtet që nuk na njeh e është kundër pavarësisë tonë, ku ne s’kemi arrit që me rezultatet tona t’i shtyjmë t’i respektojnë simbolet e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Kuka ka treguar se Distria Krasniqi s’kishte garuar për shkak të dehidrimit.

Për deputetët që s’e kanë votuar amandamentimin e Ligjit për sponsorizim, Kuka ka thënë se pret sqarim të dihet pse nuk është votuar dhe se pret reflektim pozitiv “sepse sportistët janë apolitikë dhe nëpër gara ndërkombëtare përfaqësojnë vendin jo parti politike”.