Sport

Prishtina, Drita dhe Lidhja e Prizrenit fitues të Kupës së Kosovës në pingpong

Gjatë vikendit në Ferizaj u mbajtën garat për Kupën e Kosovës në pingpong, ku në ditën e parë u zhvilluan garat në kategorinë e femrave seniore dhe juniorëve, ku nuk pati shumë ekipe pjesëmarrëse.

Te femrat morën pjesë KPP Ahmet Hoxha, KPP Drita, KPP Prishtina, Ahmet Hoxha MK, KPP Shkolla Ahmet Hoxha.

Në gjysmëfinalen e parë Drita mposhti Ahmet Hoxha MK me 3:0, ndërsa në të dytën Prishtina KPP Ahmet Hoxha 2:3.

Në finale, KPP Drita fitoi kundër KPP Ahmet Hoxha me 3:0. Vashat e reja nga Ferizaj arritën ta befasojnë ekipin kryeqytetas, por nuk arritën që t’i bëjnë dy befasi brenda ditës andaj kampione me meritë u shpall Drita e Gjilanit.

Te juniorët, Lidhja e Prizrenit mposhti Ahmet Hoxha MK me 3:0 në seta, kurse KPP Ahmet Hoxha e mundi KPP Sharrin me rezultatin 3:1.

Siç është pritur, vendin e parë e fitoi KPP Lidhja e Prizrenit, me gjithë mungesën e Fatih Karabaxhakut, i cili e përfaqëson Kosovën në Lojërat Evropiane në Minsk. Prizrenasit në finale e mundën KPP Ahmet Hoxhën me 3:1.

Ditën e dytë në konkurrencën e seniorëve pati ndeshje interesante dhe me rivalitet.

Me mospjesëmarrjen e tyre e zbehën garën klubet: Liria nga Prizreni, Dukagjini nga Klina dhe Shkolla nga Prishtina, transmeton kp.

Ndeshje interesante u zhvillua ndërmjet KPP Prizrenit dhe KPP Ahmet Hoxha MK, ku pas shumë dueleve interesante, megjithatë Prizreni u tregua më i fortë dhe fitoi me rezultatin 3:0. Në gjysmëfinale u takuan KPP Eltingu me Lidhjen e Prizrenit dhe Prizreni me Prishtinën.

KPP Prishtina mposhti Prizrenin 3:0, megjithëse ndeshjet individuale ishin shumë të barabarta.

Në ndeshjen tjetër KPP Lidhja e Prizrenit fitoi kundër KPP Eltingu me rezultat 3:2. Të dyja ekipet patën nga një mungesë në përbërjet e tyre, Fatih Karabaxhaku për L.Prizrenit dhe Milot Makolli për Eltingun. Rrahman Ademaj i shënoi dy fitore, por kjo nuk mjaftoi pasi përbërja prizrenase ishte më cilësore si tërësi dhe me meritë u renditën në finale.

Finalja ishte shumë e fortë dhe me duele atraktive. Takimin e parë e fitoi Baton Çitaku ndaj Dardan Imami me rezultatin 3:2 në sete dhe atë në diferencë.

Edhe më e bukur dhe dramatike ishte ndeshja e dytë ndërmjet Yll Dragidellës dhe Kreshnik Mahmutit, të cilën Ylli e fitoi me 3:2 duke e sjellë në epërsi ekipin e tij me 2:0. Edhe ndeshja e tretë përfundoi me 3:2 në sete, por për lojtarin prizrenas, Berkan Bajmak i cili arriti ta mposhtë Orhan Kurteshin.

Për prizrenasit fitoi edhe Kreshnik Mahmuti ndaj Baton Çitakut, 3:2, për ta barazuar rezultatin në 2:2. Në duelin vendimtar, Yll Dragidella ishte më i mirë se Dardan Imamin 3:1, dhe me këtë ia siguroi fitoren dhe Kupën e Kosovës për KPP Prishtinën.