E përballur më herët me diskriminimin, Donjeta Sadiku ka përballuar një lëndim të dorës e po ashtu telashet për të arritur peshën dhe është e gatshme për paraqitje në Lojërat Evropiane "Minsk 2019".
Edicioni i dytë i Lojërave Evropiane nis të premten (sot), ndërsa boksierja 19-vjeçare të enjten ka mësuar atë që i ka ofruar shorti. Sadiku, ekipi i Kosovës në boks dhe pjesa më e madhe e delegacionit të mërkurën kanë udhëtuar për në kryeqendrën bjelloruse, ndërsa boksierja më e mirë e vendit shpreson që prej Minskut të kthehet me lavdi.
Ajo do të garojë në kategorinë deri 60 kilogramë, ndërsa është në kërkim të suksesit të parë të madh si seniore. Në një të tetën e finales, të dielën, Donjeta do të takohet me danezen Ditte Frostholm.
Në konkurrencën e të rejave, Donjeta ka pasur suksese kulmore. Ishte nënkampione e botës në vitin 2015 e po ashtu kampione evropiane në vitin 2016. Ka pasur edhe suksese të tjera që tani i synon si seniore. Karriera e saj si seniore nuk ka pasur fillimin më të mirë. Ndër të tjera ishte edhe viktimë e diskriminimit politik. India dy vjet rresht nuk e ka lejuar Donjetën që të futet në këtë vend për të marrë pjesë në kampionate botërore. Rasti i saj ka bërë bujë në skenën botërore sportive dhe India është vënë në presion të madh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Por garat u mbajtën pa Donjetën pjesë të tyre. Tani ajo është e përkushtuar për sukses në Minsk, në Lojërat e dyta Evropiane... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)