Sport

Xhudistet për medalje në Minsk shmangin ceremoninë

Descriptive Text

Tri sportistet më të mira në vend, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, nuk pritet të paraqiten në ceremoninë hapëse të Lojërave Evropiane. Edicioni i dytë i Lojërave Evropiane nis të premten (21 qershor) në Minsk të Bjellorusisë.

Ceremonia hapëse mbahet po të premten prej orës 20:00 dhe parashikohet të zgjasë më shumë se katër orë. Menjëherë të nesërmen (të shtunën) Majlinda, Nora e Distria kanë garën e tyre. Që të mbeten të fokusuara për garë dhe të jenë të pushuara e në formën e duhur, Majlinda, Nora e Distria nuk do të jenë në ceremoninë hapëse, shkruan sot Koha Ditore.

Majlinda, Nora e Distria janë sportistet me gjasat më të mëdha për të fituar tituj e medalje në "Minsk 2019". Në të vërtetë pritjet më të mëdha janë prej tyre. Majlinda në kategorinë deri 52 kilogramë, Nora në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Distria në kategorinë deri 48 kilogramë, janë në mesin e pretendenteve për titull të kampionit, ndërsa synimet janë të paktën për medalje. Për xhudistët gara në "Minsk 2019" ka vlerën edhe të kampionatit evropian në xhudo për këtë vit. Pra ka vlerë të dyfishtë dhe trajneri Driton Kuka është i përkushtuar që ato të jenë të fokusuara dhe në formën e duhur.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)