Sport

Kosova merr sërish vëmendjen në Evropë, tash me hendboll

Për një sensacion tjetër të Kosovës ka shkruar Federata Evropiane e Hendbollit, pasi përfaqësuesja të mërkurën mbrëma barazoi 23:23 ndaj Polonisë.

Nëse merren për bazë dy rezultatet e kaluara ndaj Polonisë, atëherë barazimi vërtet mund të jetë sensacional, transmeton Koha Ditore.

Por Kosova ka mundur të fitojë ndeshjen ndaj Polonisë, që ndër të tjera ka luajtur në gjysmëfinale të Olimpiadës së fundit. Gjatë tërë kohës lojtarët e Kosovës ishin në epërsi, madje deri në katër gola, por polakët duke shfrytëzuar përvojën që kanë, barazuan në sekondën e fundit të ndeshjes. Në minutën e fundit Polonia shënoi dy herë.

Ditëve të fundit, për Kosovën u fol falë rezultateve në futboll, por tash edhe hendbolli po ngjitet në skenën e madhe.

"Polonia mori një barazim me fat, duke shënuar gol bashkë me sirenën e fundit", ka shkruar sajti i EHF-së të enjten. “Ekipi i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë që ka pësuar 37:13 në Poloni në ndeshjen e parë të këtij cikli. Ekipi i Taip Ramadanit është përmirësuar shumë në ndeshjet e fundit. Polonia ishte vetëm një herë në epërsi ndaj Kosovës, 2:1, në fillim të ndeshjes"....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)