Sport

Rashani i dha vulë serisë impresive të Kosovës, të nisur edhe nga ai

Një gol me shumë fat kishte shënuar Elbasan Rashani në ndeshjen kur iu kthye fati Kosovës. Më 13 nëntor 2017 në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë, përfaqësuesja e Kosovës në futboll po luante miqësoren e parë pas përfundimit të eliminatoreve për Botërorin 2018.

Albert Bunjaki kishte dorëzuar tashmë postin e seleksionuesit dhe në një fazë të ndërmjetme deri në emërimin e përzgjedhësit të ri, Kosovën po e drejtonte Muharrem Sahiti.

Përballë Kosovës ishte Letonia dhe "dardanët" morën një fitore 4:3. Ishte fitore e arritur me shumë vështirësi, me gol të Besar Halimit në minutën e 94-t. Por ishte një fitore që ktheu entuziazmin e Kosovës e për më shumë nisi serinë pozitive që po vazhdon ende.

Kontributin e tij në atë takim të luajtur para 6.000 shikuesve e dha edhe Rashani, që të hënën mbrëma në Sofje ishte hero i Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Rashani si zakonisht ishte aktivizuar në pjesën e dytë, në atë ndeshje në vend të Vedat Muriqit, që kishte shënuar golin e dytë për Kosovën. Në minutën e 86-të Atdhe Nuhiu kishte goditur me kokë, ndërsa topin e kishte ndalur portieri.

Topi erdhi te një mbrojtës i Letonisë që në tentim të pazakontë për ta larguar, e goditi në shpinë Rashanin. Topi përfundoi në rrjetë dhe goli për 3:3 iu shënua Rashanit. Ishte moment kthese në ndeshje, por edhe në ecurinë e përgjithshme të Kosovës.

Bernard Challandes mori drejtimin e Kosovës disa muaj më vonë dhe duke llogaritur atë ndeshje, përfaqësuesja është në seri prej 14 takimeve pa humbje. Fitore u shënuan edhe në miqësore me Madagaskarin, Burkina Fason e Shqipërinë, në Ligën e Kombeve me Ishujt Faroe, Maltën dy herë dhe me Azerbajxhanin si dhe të hënën me Bullgarinë në kualifikime për "Euro 2020"...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)