Sport

Rashkaj: Fitorja në fund, edhe më emocionuese

Mesfushori i Kosovës Anel Rashkaj ka thënë se fitorja në minutat e fundit ndaj Bullgarisë është edhe më emocionuese për të.

Pas fitores 2 me 3 me një gol të Elbasan Rashanit në sekondat e fundit, Rashkaj ka thënë se ai moment ishte tejet emocionues.

“Me rëndësi ishte fitorja. Kjo ishte më e rëndësishmja. Normalisht fitorja në minutën e fundit edhe më emocionale. Në minutat e fundit kur fiton është kënaqësi e madhe. Mendoj se fituam me meritë. Patëm shumë raste. Do të ishte mëkat po të mos fitonim. Patëm raste edhe me Malin e Zi edhe me Bullgarinë në ndeshjen e parë. Jam shumë i lumtur”, ka thënë ai.

Emocionues e ka quajtur edhe kthimin në Kosovë, pas një periudhe mungese.

“Ka pas një lloj presioni që të tregoj veten prapë. Kur hyra në fushë kishte presion. Jam i lumtur që luajta edhe më i lumtur që fituam”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Kosova ka kualitete të larta dhe sot ndaj Bullgarisë fitoi edhe pa yjet kryesore.