Sport

Në Filipine basketbolli është religjion

Shkoni në çdo cep të rrugëve në Filipine. Në çdo fshat, në çdo plazh. Madje edhe në kishë do të shihni të paktën një fanellë basketbolli. “Basketbolli në Filipine shpesh përshkruhet si religjion”, thotë Carlo Roy Singson, drejtori i NBA-së për Filipinet.

 Në fakt, basketbolli është i ngulitur në kulturën filipinase, ku është i pranishëm për më shumë se një shekull. “Ky tashmë është një fakt që e dinë të gjithë”. 

NBA-ja, duke njohur popullaritetin e këtij sporti në Filipine, së bashku me lojtarët e njohur tashmë ka disa kohë që po bën investime në këtë vend. Në vitin 2013, Houston Rockets dhe Indiana Pacers zhvilluan një ndeshje parasezonale në Filipine. Sipas zëdhënësit të NBA-së, faqja e kësaj lige në rrjetin social Facebook vetëm nga Filipinet ka 7.3 milionë ndjekës, më shumë se çdo vend tjetër në botë, me përjashtim të SHBA-së, shkruan sot Koha Ditore.

Gjithashtu edhe ylli i madh i NBA-së, Stephen Curry ka vizituar disa herë Filipinet gjatë viteve të fundit. “Është një vend që jeton për basketbollin dhe mua më vjen mirë që të gjithë, pa dallim moshe e gjinie përcjellin ndeshjet tona në NBA”, pati thënë Curry. 

Bashkëlojtari i Curryt, Klay Thompson, në vitin 2015 kishte regjistruar një videomesazh vetëm për tifozët e tij filipinas. Rrjetet e shumta televizive, “Fox Sports” dhe “Solar” transmetojnë deri në 30 ndeshje në javë gjatë sezonit të rregullt në NBA.

 Dy prej figurave më të shquara me prejardhje filipinase në NBA, janë Jordan Clarkson, fundori i Clevelandit dhe Erik Spoelstra, trajneri i skuadrës Miami Heat. “Unë mburrem me rrënjët e mia nga Filipinet. Kam shumë adhurues filipinas të cilët pothuajse për çdo ditë më shkruajnë dhe më përgëzojnë për paraqitjet me ekipin. Përpiqem të jap më të mirën nga vetja për të përfaqësuar denjësisht rrënjët e mia”, insiston Clarkson...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)