Qyteti i Pejës të paktën edhe një vit do të jetë pa skuadër në Superligën e Kosovës në futboll. Të shtunën do të mësohet emri i një qyteti tjetër me vlerë për futbollin në vend, që nuk do të ketë skuadër në elitë, në edicionin e ardhshëm 2019\2020.
Ndeshja e barazhit do të vendosë nëse Mitrovica për herë të parë nuk do të ketë skuadër elitare apo Gjakova do të duhet të presë të paktën edhe një vit për ndeshje të Superligës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Trepça '89 e Vëllaznimi takohen të shtunën (sot) nga ora 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e barazhit për një vend në Superligë. Fituesi i ndeshjes edicionin tjetër luan në elitë, ndërsa humbësi në Ligën e Parë (kategoria e dytë).
Ndeshja e parë e barazhit ndërmjet Gjilanit dhe Besës së Pejës u luajt të enjten në Prishtinë, ndërsa fitoi Gjilani me shifrat 1:0. Kështu Gjilani mbeti në elitë, ndërsa Besa në Ligën e Parë. Besa është prej klubeve më të mëdha të vendit, por që nuk po ia del t’i kalojë telashet organizative.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)