Sport

Leipzigu dhe Bayerni luftojnë në finale për Kupën e Gjermanisë

Foto: Reuters

Leipzigu do të luajë të shtunën në ora 20:00 kundër Bayern Munichut dhe do ta kërkojë trofeun e parë të madh në 10-të vjet histori, në Olympiastadion të Berlinit.

Gjatë rrugës për në finale, Leipzigu eliminoi tri klube të Bundesligës, Hoffenheimin, Augsburgun dhe Wolfsburgun dhe kanë pësuar vetëm tri gola në gjithë garën. Edhe në ligë pati formë të mirë duke përfunduar në vendin e tretë pas Bayernit dhe Dortmundit.

Ralf Rangnick e pushoi shumicën e ekipit të parë në humbjen e xhiros së fundit kundër Werderit, për t’i përgatitur për finale. Rangnick do të paraqitet për herë të tretë në finale të Kupës dhe e ka fituar atë një herë në krye të Schalkes në vitin 2011-të.

Megjithatë, përballë do ta ketë Bayernin që në finale ka kaluar për herë të 23-të dhe mban rekordin me 18-të trofe. Lewandowski në rast se realizon dy gola, mund të bëhet futbollisti i parë në histori që përfundon i pari në listën e golashënuesve në tri edicione rresht.

Leipzigu është në finalen e parë të klubit dhe dëshiron të bëhet ekipi i 26-të i ndryshëm që e fiton këtë garë.