Sport

Gara zhvendoset në katër xhirot e fundit

Pasi të shtunën fituan Feronikeli e Llapi, të dielën Prishtina bëri "detyrën", për të shtyrë vendosjen e garës për titull në katër xhirot e fundit të edicionit 2018/19 të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Prishtina të dielën mbrëma fitoi me shifrat 2:1 ndaj Drenicës. Ndeshja është luajtur në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Skuadra e Mirel Josës në pjesën e parë e ka kryer shumicën e punës për të arkëtuar tri pikët e reja dhe kështu të vazhdojë garën për titull me Feronikelin e Llapin. Me fitore Prishtina është kthyer në vend të dytë me 68 pikë, sa i ka edhe Feronikeli në vend të parë, shkruan sot Koha Ditore.

Llapi renditet i treti me 66 pikë. Ka gjasa që gara për titull të mbetet në pikë të njëjtë edhe pas xhiros së 30-të, kur Feronikeli luan në udhëtim me Drenicën, Prishtina në udhëtim me Dritën dhe Llapi në shtëpi me Trepçën '89. Gjendja në tabelë me shumë mundësi do të ndryshojë në xhiron e 31-të kur luhet derbi Prishtina - Llapi, ndërsa Feronikeli e pret Dritën. Më pas është derbi Llapi - Feronikeli e fare në fund Feronikeli - Prishtina.

"Jam i kënaqur me paraqitjen", ka thënë trajneri i Prishtinës, Josa, pas fitores 2:1 ndaj Drenicës. Ai ka pranuar se skuadra kishte vështirësi në pjesën e dytë dhe është dashur më lehtë të dalë përpara. Por ka thënë se ndeshjet aktuale janë me tension dhe momente të tilla priten.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)