Sport

Prishtina e Rahoveci në finalen e madhe

Skuadra që nuk ka pësuar asnjë humbje këtë edicion do të sfidohet në finale të plejofit nga skuadra që për herë të parë arrin në këtë fazë. Bëhet fjalë për Z Mobile Prishtinën e Rahovecin. Të dy këto skuadra të dielën e kanë siguruar finalen e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Z Mobile Prishtina në një ndeshje të fortë në Prizren, që mblodhi fare pak shikues, ka fituar ndaj kampionit të edicionit të kaluar, Bashkimit, për të zënë vend në finale. Më vonë të dielën Rahoveci ka fituar në shtëpi ndaj Golden Eagle Yllit, për t'iu bashkuar Prishtinës në finalen e madhe.

Në Rahovec palestra ishte e stërmbushur me shikues, ndërsa pati festë të madhe në fund të ndeshjes që u fitua nga skuadra vendëse me shifrat 84:70. Rahoveci kishte fituar edhe dy ndeshjet në Suharekë dhe kështu me rezultatin 3:0 ka kaluar në finale. Në çerekfinale Rahoveci kishte kaluar Ponte Prizrenin, pasi përmbysi epërsinë 1:0 të prizrenasve.

Fred Richardson ka inspiruar suksesin historik të Rahovecit, që pak javë më parë është bërë me palestër. Basketbollisti amerikan ka shënuar plot 35 pikë në ndeshjen vendimtare. Ai shtoi edhe nëntë kërcime e tri asistime. Deshon Minnis e ndihmoi Rahovecin me 12 pikë, 12 kërcime e tetë asistime, ndërsa kapiteni Arian Qallaku kontribuoi me 15 pikë, pesë kërcime e pesë asistime.

Trajneri Bujar Loci aktivizoi vetëm shtatë lojtarë, por që arritën suksesin e pritur gjatë në qytetin e Rahovecit, që ngadalë po shndërrohet në qendër të basketbollit kosovar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)