Sport

E ardhmja e tenisit kosovar po zhvillohet në Suedi

Në korrik të këtij viti, një tenist i ri do ta përfaqësojë Kosovën në “European Youth Summer Olympic Festival” që do të mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku. 

13-vjeçari nga Peja, Melos Nallbani, është më i motivuar se kurrë për të pasur paraqitje dinjitoze në këtë festival, ndonëse kundërshtarët e tij do të jenë më të vjetër në moshë. 

Por kjo nuk po e shqetëson Nallbanin dhe ai po përgatitet maksimalisht. Festivali olimpik do të nisë më 21 korrik dhe do të përfundojë pas një jave, kurse Nallbani për një paraqitje sa më dinjitoze tashmë po përgatitet jashtë kufijve të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore

Ai ka kohë që është pjesë e një prej akademive më të mira në botë të tenisit. Po stërvitet në akademinë “Good of Great” me seli në Stockholm të Suedisë, e cila udhëhiqet nga Magnus Norman, ish-tenisti numër dy në botë. 

Nallbani është pjesë e kësaj akademie prej gushtit të vitit të shkuar. “Për mua pjesëmarrja në Baku do të thotë shumë, pasi do të marrë një përvojë të madhe, duke pasur parasysh se do të përballem me kundërshtarë më të mëdhenj në moshë. Por, me gjithë këtë, unë jam i vendosur për të pasur sukses në këtë festival olimpik dhe për këtë jam shumë i bindur”, thotë Nallbani. 

“Tashmë, jam pjesë e njërës prej akademive më të mira në botë dhe këtu i kam të gjitha kushtet për t’u zhvilluar. Prej kësaj akademie kanë dalë emra të njohur të tenisit, siç është Magnus Norman, i cili edhe e udhëheq atë”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)