Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka kërkuar përfshirjen e gjyqtarëve të huaj në ndeshjet e fundit të Superligës së Kosovës në futboll, pasi është nxehur gara për kampion.
Tri skuadra janë në garë të ngushtë për titull me Feronikelin e Prishtinën që prijnë me nga 65 pikë, dy më shumë se Llapi. Të tri ekipet do të përballen me njëra-tjetrin deri në fund.
Në “Sportin Total” në KTV, Batatina ka thënë se për t’i shmangur debatet për gabime nga gjyqtarët vendas, më mirë do të ishte për kampionatin përfshirja e gjyqtarëve të huaj.
“Ne u besojmë gjyqtarëve tanë, por më mirë një i huaj që nuk e di kush është Batatina, Llapi, Prishtina apo Feronikeli”, ka thënë ai teksa ka shtuar se nëse një gjyqtar i huaj do të gabonte në këto ndeshje “do t’i çonim duart lartë”.
Ai ka folur edhe për skuadrën e tij për të cilën ka thënë se po të shmangte gabimet si vendas tashmë “do të ishte kampion sikur Juventusi”.
Batatina ka konfirmuar se lojtarët do të marrin premi 100 mijë euro nëse do të shpallen kampionë, me secilin lojtarë nga 1200 euro për çdo ndeshje në pesë xhirot e fundit.