Sport

Fazliu thotë se Kombëtarja e Kosovës te femrat po ka probleme në mbrojtje, të gjitha duan sulmin

Trajnerja e Kombëtares së Kosovës për Femra, Afërdita Fazliu në “Express Intervistën” ka folur për ngritjen që ka shënuar kjo kombëtare, si dhe për vështirësitë nëpër të cilën po kalon.

Vashat e Kosovës në futboll nuk dinë për humbje në katër ndeshjet e fundit, duke shënuar 3 fitore e një barazim në katër miqësore.

“Marrë në përgjithësi në këto katër lojë miqësore është një rezultat i mirë, që ndoshta nuk i kemi pritë. Këtë fazë e kemi kaluar mirë dhe shihet rritje në Kombëtaren e Femrave. Në Evropë të gjitha kombëtaret janë më të mira se Kosova, duke pasur parasysh se jemi sport i ri. Ndoshta në këto dy vitet e fundit kemi pasur një ngritje të nivelit. Nga pozita 123 kemi mposhtur Bullgarinë që është e 78, dhe të dy ndeshjet i kemi zhvilluar në Bullgari, e kjo tregon se jemi një kombëtare në ngritje. Nëse krahasojmë me dy vitet e kaluara mund të shihet se është një ndryshim i madh te kombëtarja e Kosovës”, është shprehur Fazliu.

Fazliu krenohet për lojën e bukur që zhvillojnë futbollistet e Kosovës, që tashmë kanë filluar të ndryshojnë edhe sisteme të lojës, duke u larguar nga formacioni klasik 4-4-2.

“Do të doja të falënderoja stafin profesional të kombëtares, dhe mund të themi lirisht se kemi një filozofi më ndryshe se shumë kombëtare të tjera që janë edhe më mirë të organizuara. Kombëtaret që themelohen rishtazi luajnë zakonisht me topa të gjatë, e nuk luajnë futboll të bukur. Ndërsa ne kemi një filozofi tjetër. Që nga viti 2017 kur kemi filluar të punojmë seriozisht kemi tentuar të krijojmë një filozofi ku 70 për qind të aksioneve nisin nga mbrojtja, pra që të luajmë futboll të bukur. Ne tentojmë të ndërtojmë aksione, e të ketë driblime të bukura e atraktive për publikun. Duket se e kemi në gjene që të bëjmë driblime një kundër një”, është shprehur ajo.

Tutje Fazliu ka thënë se problem të madh aktualisht kanë fazën e mbrojtjes, sidomos në mungesën e portierëve.

“Në disa përparësi e probleme i kemi të ngjashme me atë të meshkujve. Sa i përket mesfushës qëndrojmë të dyja shumë mirë. Sa i përket sulmit ne kemi më shumë produkt se ajo e meshkujve. Ndërsa problemin e njëjtë e kemi në mbrojtje. E ne kemi edhe më shumë probleme në atë aspekt. Kemi tentuar që disa mesfushore t’i përfshijmë edhe në mbrojtje. Kurse problem kemi me portiere. Momentalisht kemi vetëm një portiere, pasi njëra është e lënduar”, thotë Fazliu.

E sipas saj dallimi tjetër është se, “90 për qind ne jemi amatorizëm, kështu që edhe grumbullimet janë mjaft problematike. Pasi ato edhe punojnë prandaj kjo është mjaft problematike. Në këto dy ndeshjet e fundit kemi shkuar deri në 10 futbolliste që luajnë jashtë Kosovës. Nëse flasim për përgatitje reale duhet të orientohemi më tepër te ato vajza që luajnë jashtë, sidomos në Gjermani. E dimë se numri është i vogël, dhe fokusi është në Bundesliga 2. Ka një gatishmëri të madhe që ato të luajnë për Kosovën. Ndoshta edhe suksesi i kombëtares së meshkujve ka ndikuar që edhe futbollistet të shprehin dëshirën që të luajnë për Kosovën”.

Fazliu ka folur edhe për kualifikimet për Evropianin “Anglia 2021”, që e sheh mjaft të vështirë.

Kualifikimet për Evropianin “Anglia 2021”. Kosova është në Grupin A së bashku me Turqinë, Estoninë, Slloveninë, Holandën e Rusinë.

“Kosova është në një fazë krejt tjetër. Do të jetë shumë e vështirë, por mendojmë të paktën të jemi të përafërta me Turqinë, Estoninë, e Slloveninë, pasi Holanda e Rusia janë nivel më të lartë. Është fat që kampanja nis me një lojë që fillon me 30 gusht ndaj Turqisë dhe besoj se këto vajza me një përgatitje më të mirë besoj se do të zhvillojmë një ndeshje të mirë e do të tentojmë të marrim maksimumin”, është shprehur Fazliu.