Gjilani është me fat që ka dy skuadra, ballafaqimi i të cilave gjithnjë tërheq vëmendje të madhe, jo vetëm në këtë qytet.
Skuadrat, po ashtu, janë me fat që kanë dy prej grupeve të tifozërisë më të mëdha e më të organizuara në vend. Por, as tifozët e as qyteti nuk mund të krenohen me lojën që shfaqën dy skuadrat në derbin e luajtur të dielën mbrëma.
Derbi ndërmjet Gjilanit e Dritës u luajt në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, meqë ai në Gjilan po rinovohet. Dhe, kushtet e mira për lojë, sidomos fusha nuk mjaftuan për lojtarët e dy skuadrave të shfaqin lojë të mirë e aksione të rrjedhshme. Si shumë herë deri më tash, loja mbeti në hije të atmosferës në tribuna.
Tifozët e Gjilanit "Skifterat" dhe ata të Dritës "Intelektualët" dhanë sërish spektakël në tribuna, por kjo mungoi në fushë.
Skuadrat u ndanë me rezultatin më të padëshiruar për tifozët, 0:0.
Pati pak raste, pak krijim nga skuadrat dhe lojë jo të denjë për një derbi, që nga shumëkush llogaritet më i madhi në Kosovë. Të paktën kështu mendojnë ekspertët e kësaj loje.
"Më herët, të dy ekipet kanë mundur të ankohen se fusha nuk ishte e mirë dhe se nuk kanë mundur të zhvillojnë lojën e tyre. Këtë herë fusha ishte perfekte, por pavarësisht kësaj nuk pati posedim të topit nga ana e ekipeve, aksione apo edhe gjuajtje nga distanca. Loja nuk iu përgjigj fare atmosferës në tribuna dhe kjo nuk është hera e parë, pasi edhe në përballjet e fundit kemi pasur paraqitje të tilla", ka thënë trajneri i përfaqësueses U21 të Kosovës, Rafet Prekazi. "Ndodh, që në derbi të mos ketë hijeshi apo cilësi, por këtë herë nuk kishte as agresivitet e as duele në fushë. Realisht, të gjithë kanë pritur më shumë nga ky derbi, i cili kohët e fundit po ka më shumë rivalitet sesa kualitet. Nuk ka derbi pa duele dhe këtë herë ky derbi nuk ka dhënë asgjë, të cilin duket se më shumë po e mban rivaliteti i tifozëve"... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)