Krerët e Milanit edhe zyrtarisht duan që trajneri i ekipit italian prej edicionit të ardhshëm të jetë argjentinasi Mauricio Pochettino, i cili aktualisht është në krye të Tottenhamit. Lajmi është bërë i ditur të premten nga e përditshmja italiane “Corriere della Sera”.
Te Milani e shohin Pochettinon si trajnerin e duhur për ekipin, pasi Gennaro Gattuso do të largohet në fund të këtij edicioni.
Pochettino 47-vjeçar, është trajner i Tottenhamit prej vitit 2014 dhe me ekipin londinez ka kontratë deri në vitin 2023, transmeton “Koha Ditore”. Ai më herët ka deklaruar se nuk është i sigurt për të ardhmen e tij, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga Tottenhami gjatë kësaj vere.
Më herët, interesim për Pochettinon pati treguar edhe skuadra e Real Madridit, që tashmë ka rikthyer Zinedine Zidanen në këtë post.