Sport

Dorëhiqet presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë shkaku i një dhurate të shtrenjtë

Foto: Reuters

Presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Reinhard Grindel ka dhënë dorëheqje të papritur të martën, duke kërkuar falje që kishte pranuar një dhuratë të shtrenjtë, raporton Reuters.

Në konferencë për media ai ka kërkuar falje për orën e shtrenjtë që i kishte dhënë dhuratë kolegu i tij ukrainas Grigory Surkis, duke thënë se nuk e kishte ditur çmimin e saj, transmeton Koha.net.

Grindel, që mori drejtimin e Federatës më 2016, ra nën një presion të madh pas dhuratës në vlerë prej 6 mijë euro që i kishte bërë biznesmeni dhe administratori i futbollit ukrainas, Grigory Surkis.

“Gjithkush që më njeh mua e di që s’jam i pangopur. Çmimi i orës ishte 6 mijë euro. Në atë kohë nuk e dija brendin apo vlerën e saj”, u shpreh Grindel në një konferencë për media. “Surkis nuk ka pasur ndonjë interes komercial që lidhje me DFB-në. Ai kurrë, as para dhe as pas, nuk më ka kërkuar për ndonjë lloj mbështetje”.

Ai ka shtuar se, “për mua nuk ekziston asnjë konflikt interesi, por ishte një çështje mirësjelljeje për ta pranuar atë”.

Grindel ka kërkuar falje që është vonuar për të dhënë sqarime për këtë çështje derisa konfirmoi dorëheqjen.

“Nuk mund të shpjegoj se pse nuk kam ndërmarrë masa për të sqaruar këtë çështje. Jam i shokuar nga gabimi im. Jap dorëheqje nga posti i presidentit të DFB-së. Kërkoj falje për veprimin tim më pak-se-shembullor të pranimit të orës”, u shpreh Grindel.