Sport

Maratona “Barkley”, një garë e inspiruar nga një ikje nga burgu

Nëse storiet për halucinacione, për ngjitje sa dy herë lartësia e Mount Everestit (8848 metra) dhe për ngjitje në errësirë me zhurmat e bretkosave si udhëzuese të vetme nuk janë të mjaftueshme për të dekurajuar pjesëmarrësit, atëherë dekurajuese sigurisht është letra përmes së cilës konfirmohet pjesëmarrja në maratonën “Barkley”.

Në atë letërkonfirmim pjesëmarrësve u thuhet të përgatiten për dështim dhe turpërim, të presin një periudhë të gjatë të vuajtjes së madhe dhe të shpresojnë të evitojnë ndonjë lëndim të përhershëm fizik apo psikologjik. Aty paralajmërohet se dëmi psikologjik do t'i ndjekë deri në fund të jetës, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.

Inspiruar nga tentimi i dështuar për të ikur nga burgu nga James Earl Ray, njeriu i dënuar për vrasjen e aktivistit të të drejtave civile Martin Luther King dhe që ishte dënuar me 99 vjet burgim, gara mund të jetë më e vështira në botë.

Kompletimi i “Barkleyt” ka një nivel të vështirësisë të ngjashëm me një ikje nga burgu. Qindra kanë tentuar në tri dekadat e fundit, por vetëm 15 kanë qenë të suksesshëm. Vitin e kaluar nuk kishte asnjë garues që përfundoi.

Gara ka fituar një status ikonik dhe gati mitik në mesin e komunitetit të ultra-maratonave, si një nga garat më të lodhshme dhe me më së shumti fshehtësi në botë. Garuesit janë të motivuar nga ideja të përfundojnë një garë që është gati, por jo plotësisht, e pamundur të përfundohet.

“Të duket si garë argëtuese, por është një garë jashtëzakonisht serioze. Por, të obsesionon. Është çmenduri se sa shumë ke dëshirë të kthehesh sërish”, ka thënë garuesi i dyfishtë i Barkleyt, James Mace.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)