Biorou Jean Kean, babai i sulmuesit të Juventusit dhe përfaqësueses italiane Moise Kean, ka folur për mikrofonat e Rai Radio 1.
Atë e ka gëzuar goli i parë i djalit të tij për kombëtaren italiane.
“Falënderoj zotin, ishte një gëzim i madh për të gjithë familjen. Kur shënoi, brohorita ‘bravo!’. Ndeshjen e radhës do ta shoh me miqtë e mi në lokal, jo në stadium”, u shpreh ai, transmeton telesport.
Biorou Jean Kean ka zbuluar se tani sulmuesi i Juventusit kur ishte fëmijë ishte fans i Interit.
“Moise kur ishte fëmijë bënte tifo për Inter sepse pëlqente Obafemi Martins. Kur dilja në treg me të më lutej t’i blija fanellën e Martinsit. Megjithatë unë e dërgova te Juventusi pasi unë jam tifoz i bardhezinjve”, u shpreh Biorou Jean Kean.
Më tutje ai ka shtuar se Juventusi ia ka borxh dy traktorë.
“Jam shumë i lumtur tashmë, megjithëse kam një problem me klubin: ata nuk më kanë dhënë më shumë bileta për të shkuar në stadium. Kishte një problem. Unë dhe mamaja e Moise jemi ndarë dhe ajo donte ta merrte djalin në Angli. Unë i thashë klubit se do ta mbaja në Itali nëse do të më jepte dy traktorë. Drejtuesit më dhanë ok e tyre, por traktorët nuk erdhën kurrë”, tha ai.
Biorou Jean Kean dëshiron që i biri i tij të veshë gjithmonë fanellën e “Zonjës së Vjetër”.
“Dua që ai të qëndrojë gjithmonë te Juventusi. Unë jam i zi, por gjaku im është i bardhë”, u shpreh Biorou Jean Kean.